Gjykimi për “Lotarinë Shtetërore”, Prokuroria prezantoi dokumente për videolotaritë

23.09.2026 16:14

Në seancën gjyqësore për “Lotarinë Shtetërore”...

Në seancën gjyqësore për “Lotarinë Shtetërore”, Prokuroria prezantoi më shumë se 230 dokumente, prova materiale dhe dokumentacion financiar për të dëshmuar se në mënyrë joligjore janë blerë terminaleve të videolotarive.

Si prova materiale u paraqitën edhe urdhërpagesa valutore, ekstrakte bankare, kartela analitike për operatorët ekonomikë, si dhe fatura, llogari dhe fletëdërgesa për pajisjet e blera. Pas shpalimit të ekspertizës vijojnë provat verbale të Prokurorisë.

“Analizë konkrete e dëshmive apo secilës veçmas do të bëhet më tutje në procedurë konkretisht në fjalët përfundimtare. Në këtë pjesë të procedurës nuk do të bëja analizë. Tani në këtë fazë do të ishte në një farë mënyrë varrim i strategjisë të thuhet se çka dhe si do të dëshmohet. Në listën tonë të dëshmive është drejtori i “Lotarisë Shtetërore”, që është i propozuar si dëshmitar.”, - deklaroi prokurori publik, Daniel Kocev.

Nga ana tjetër, mbrojtja vlerëson se akuzat janë të dobëta, të paqarta dhe kontradiktore.

“Nga vetë provat që i pamë sot, rezulton se të akuzuarit jo vetëm që nuk i kanë kryer veprat për të cilat ngarkohen, por përkundrazi, kanë vepruar sipas udhëzimeve të Qeverisë, me pëlqimin paraprak të Qeverisë dhe vetëm kanë mbrojtur interesin shtetëror, që ishte në kompetencën e tyre si anëtarë të Bordit Mbikëqyrës. Për të akuzuarit e tjerë nuk mund të them, por anëtarët e Bordit Mbikëqyrës kanë vepruar duke mbrojtur interesin shtetëror.”, - theksoi avokati, Jordan Apostollski.

Në këtë rast, përveç Artan Grubit dhe Përparim Bajramit, të akuzuar janë edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadani dhe Aleksandar Dimitrioski. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)