Debat në Odën Ekonomike, vende pune të përshtatura për familje
Të punosh pa e sakrifikuar familjen...

Të punosh pa e sakrifikuar familjen, të kesh karrierë pa u penalizuar për shkak të mëmësisë dhe të ndërtosh një vend pune që përshtatet me nevojat e familjeve, ky është modeli drejt të cilit duhet të ecë biznesi, por praktika tek ne ende tregon të kundërtën.
Gratë vazhdojnë të përballen me raste kur pushimi i lehonisë u kushton atyre uljen e pozitës në vendin e punës, por jo vetëm kaq, në disa raste edhe largimin nga vendi i punës. Pikërisht për këto sfida dhe për mënyrat se si kompanitë mund të krijojnë vende pune më miqësore për familjet, u diskutua mes afaristëve dhe përfaqësuesve të Odës Ekonomike.
“Megjithatë, është e vërtetë se në terren ende kemi praktika negative, ku edhe detyrimet ligjore ekzistuese nuk zbatohen në mënyrë të duhur. Për shembull, gratë penalizohen për shkak se kanë shkuar në pushim të lehonisë, u ulet pozita e punës apo edhe largohen nga puna. Edhe sot raportojmë se raste të tilla ende ndodhin në praktikë. Ato tani po i ndiejnë pasojat e punës së papërgjegjshme.”, - deklaroi drejtorja ekzekutive e Shoqatës “Konekt”, Nikica Kusinikova.
Ngjarja me temë “Vende pune sipas masës së familjeve,respektivisht të përshtatura për familjet, shkëmbimi i praktikave më të mira nga kompanitë kampione”, e organizuar nga “Konekt” në bashkëpunim me Fondin e Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, synoi të sjellë në vëmendje praktikat që mund të ndihmojnë në krijimin e një tregu pune më të përshtatshëm për familjet. Përgjegjësia familjare po bëhet gjithnjë e më shumë trend në qëndrueshmërinë e biznesit.
“Jemi të vetëdijshëm për ndryshimet dhe dinamikën me të cilat përballen fuqia punëtore dhe komuniteti i biznesit. Pikërisht për këtë arsye, duke pasur parasysh edhe proceset demografike që po i shohim në rajon, ky projekt rajonal ofron mundësi për lidhjen e sektorit privat dhe shkëmbimin e praktikave që kanë dëshmuar se janë të dobishme.”, - theksoi udhëheqësja e projektit, OJQ “Konekt”, Irina Haxhi Mitova.
Sfida mbetet që këto praktika të mos jenë vetëm shembuj të veçuar, por të bëhen pjesë e përditshme e tregut të punës, sepse një vend pune i përshtatur për familjen nënkupton edhe më shumë siguri për punonjësit dhe qëndrueshmëri për biznesin, u tha me këtë rast. (Rexhep Qamili, TVM2)
