Tiranë, skandali Hyseni – Agasi, 130 telefonata dhe të dhëna sekrete
Thellohet skandali i lidhjeve të drejtueses së ShISh-it, Vlora Hyseni...

Thellohet skandali i lidhjeve të drejtueses së ShISh-it, Vlora Hyseni, me biznesmenin e arrestuar, Ergys Agasi. Hetimet e SPAK-ut kanë zbuluar mbi 130 telefonata dhe qindra mesazhe në vetëm 2 muaj mes tyre, si dhe të dhëna sekrete që shefja e inteligjencës shqiptare i kishte vënë në dispozicion Agasit kur ishte në kërkim.
Rezulton se Hyseni ishte marrë në pyetje më 18 shtator nga Prokuroria e Posaçme, pasi në makinën e Agasit ishin gjetur të dhëna sensitive që ajo ia kishte dhënë biznesmenit.
Gjatë marrjes në pyetje, mësohet se Hyseni i ka pranuar komunikimet, por ka thënë se Agasi ishte bashkëpunëtor i Shërbimit Informativ.
Ndryshe nga që pretendon Hyseni, Prokuroria e Posaçme thotë se Agasi nuk ishte bashkëpunëtor i Hysenit, përkundrazi ai i diktonte asaj informacionin që i duhej. Dyshohet edhe se Ergys Agasit mund t’i jenë vënë nën dispozicion edhe makina të ShISh-it për lëvizjet e tij brenda territorit të Shqipërisë kur drejtësia po e kërkonte.
Nga Nju Jorku ku ndodhet për punimet e Asamblesë së OKB-së, kryeministri Edi Rama njoftoi dje shkarkimin e Vlora Hysenit, që më pas u dekretua edhe nga presidenti. Hyseni u vetëdorëzua dje pasdite në pikën kufitare që e lidh Shqipërinë me Kosovën dhe tashmë është në arrest shtëpie. Opozita ndërkohë, vijon të akuzojë Edi Ramën që i ka dhënë besën krimit. (Luljeta Ndoka, TVM2)
