FSSh pret nënshkrimin final, ndryshohen kriteret e pushimit mjekësor
Sistemi i dhënies së pushimeve mjekësore...

Sistemi i dhënies së pushimeve mjekësore po shkon drejt një reformimi të plotë. Pasi kriteret aktuale datojnë që nga viti 2012 dhe nuk u përgjigjen më realitetit mjekësor e teknologjik, Fondi i Sigurimit Shëndetësor dhe Ministria e Shëndetësisë kanë bërë gati rregulloren e re. Marrëveshja mes grupeve të punës është arritur, ndërsa tani pritet vetëm nënshkrimi zyrtar për të hyrë në fuqi.
“Mendojmë se aty ato do ta miratojnë, pastaj pas asaj faza tjetër është që e njëjta rregullore të marrë pëlqimin e Ministrisë së Shëndetësisë, gjegjësisht ministri i Shëndetësisë duhet ta nënshkruajë që të hyjë në fuqi. Mendojmë se do të kalojë gjithçka në rregull shkaku se grupi i punës është bërë nga përfaqësues të Fondit dhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë.”, - deklaroi drejtori i Sektorit për Komunikim në FSSh, Irfan Limani.
Ndryshimi kryesor prek kontrollin dhe kohëzgjatjen e lejeve mjekësore. Ndërsa dikur për një analizë gjaku prishej me ditë të tëra, sot rezultatet merren brenda 10 minutash, çka ka shtyrë autoritetet të rishikojnë edhe të drejtën e mjekëve amë për të lëshuar deri në 7 ditë pushim pa raport specialisti. Përveç kësaj, fokusi mbetet te parandalimi i parregullsive administrative gjatë lëshimit të vërtetimeve.
“Qëllimi kryesor është të kemi një sistem më të qartë, më efikas dhe më të drejtë. Kriteret që janë në rregulloren e deritanishme datojnë prej vitit 2012. Këtu duhet të jap një sqarim: Fondi konstaton parregullsi në kuadër të kompetencave, ne nuk konstatojmë keqpërdorime, janë organet e tjera ato që kostatojnë se a ka apo nuk ka keqprëdorime.”, - theksoi drejtori i Sektorit për Komunikim në FSSh, Irfan Limani.
Nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor sqarojnë se deri në publikimin e udhëzimit të ri dhe njoftimit zyrtar për opinionin, në fuqi mbeten rregullat e vjetra. Zbatimi i rregullores së re pritet të nisë menjëherë pas përfundimit të procedurave administrative. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
