Tetovë, kontrolli ligjor shtyn emërtimin e rrugëve
Procesi për emërtimin e rrugëve në Tetovë...

Procesi për emërtimin e rrugëve në Tetovë është shtyrë për shkak të kontrolleve shtesë ligjore, administrative dhe gjuhësore. Komisioni për emërtimin e rrugëve nuk e mbajti mbledhjen e paraparë më 20 shtator, ndërsa lista e emrave të rinj pritet të kompletohet deri më 30 shtator.
Kreu i Komisionit për emërtimin e rrugëve, Albi Qamili, thotë se vonesa është bërë me qëllim që lista të kontrollohet nga ekspertë dhe të shmangen pengesat e mundshme ligjore para se propozimet të dërgohen për miratim në Këshillin Komunal dhe më pas në Qeveri.
“Është e vërtetë se ne kemi caktuar një plan dinamik për ecurinë e procesit të grupit të punës për emërtimin e rrugëve, por duhet të kemi parasysh delikatesën e këtij procesi. Ju i dini problemet administrative, juridike e gjuhësore, që kanë hasur komunat tjera të këtij procesi, andaj ne kemi thirr edhe ekspertë që janë marrë me këtë proces në komunat tjera, siç është Komuna e Çairit dhe qyteti i Shkupit. Andaj, duke marrë të gjitha masat, ne kemi vlerësuar se është më mirë të ngadalësohet procesi, por të ketë zgjidhje si duhet ligjore.”, - deklaroi kryetari i Komisionit për emërtimin e rrugëve, Albi Qamili.
Sipas Qamilit, në mbledhjen e radhës, e cila pritet të mbahet deri më 30 shtator, grupi i punës do ta përfundojë dhe kompletojë listën. Megjithatë, para se të dërgohet në Këshillin Komunal, lista do t’i nënshtrohet edhe një kontrolli nga ekspertët.
“Por, sërish do të them se procesi shkon në rrugë të mbarë dhe deri në 30 shtator do të kemi edhe mbledhjen e radhës të grupit të punës, në të cilën mendojmë që do të përfundojmë dhe do ta kompletojmë listën, e cila do kontrollohet nga ekspertët dhe më pas të lëshohet në Këshillin Komunal për miratim dhe në Qeveri për miratim.”, - theksoi kryetari i Komisionit për emërtimin e rrugëve, Albi Qamili.
Deri tani, në dy fazat e para janë konfirmuar gjithsej 222 emra. Në fazën e parë janë përfshirë 77 emra, ndërsa në fazën e dytë 145. Në fazën e ardhshme pritet të shqyrtohen edhe rreth 100 emra të tjerë, pas së cilës lista do t’i nënshtrohet kontrollit nga ekspertët para procedimit për miratim. (Visar Sadiku, TVM2)
