Provimi i Jurisprudencës kërkohet në shqip, Shasivari: Në tetor do ta demonstrojmë zgjidhjen
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari...

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, paralajmëroi takim institucional me përfaqësues të asociacioneve studentore dhe dekanët e fakulteteve juridike, ku do të prezantohet dhe demonstrohet praktikisht zgjidhja e propozuar për provimin e Jurisprudencës.
Takimi, sipas Shasivarit, pritet të zhvillohet në pjesën e parë të tetorit, pasi të nisë viti i ri akademik.
“Në pjesën e parë të tetorit do të organizoj takim institucional me përfaqësues të asociacioneve studentore, me dekanët e fakulteteve juridike, për prezantimin e zgjidhjes dhe për sqarimin konkret, si dhe për demonstrimin praktik të zgjidhjes. Besoj që së shpejti do t’u dërgohen edhe ftesat për takim. Tani është koha e regjistrimeve nëpër universitetet e vendit dhe nuk ka filluar viti akademik. Prandaj, në pjesën e parë të tetorit, pasi të fillojë viti akademik, mendoj që nëpërmjet dialogut dhe partneritetit me asociacionet studentore, qëllimi është që në mënyrë praktike të prezantohet zgjidhja dhe të demonstrohet praktikisht se si do të funksionojë. Në këtë drejtim janë me rëndësi, kuptohet, edhe standardet ndërkombëtare dhe standardet evropiane. Respektimi i tyre është shumë i rëndësishëm lidhur me këtë qasje inkluzive ose gjithëpërfshirëse, ku i kemi pesë fakultete juridike në vendin tonë që zhvillojnë studime juridike në gjuhë të ndryshme.”, - u shpreh ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.
Lëvizja Studentore: Gjuha Shqipe të mos mbetet peng për gjuhët tjera
Ndaj qëndrimit të ministrit Shasivari reagojnë nga Lëvizja Studentore, nga e cila thonë se nuk do të lejojnë që provimi i Jurisprudencës në gjuhën shqipe të mbahet peng për shkak gjuhëve të tjera.
“Gjuha shqipe ka bazën e saj kushtetuese dhe ligjore, ndërsa zbatimi i këtyre përcaktimeve është obligim i ministrit. Barazimi i gjuhës shqipe me gjuhët e tjera në këtë kontekst është i padrejtë. Ministri nuk duhet të ngatërrojë obligimin ligjor për zbatimin e gjuhës shqipe, si gjuhë e popullit shtetformues, me gjuhët që ligjërohen në universitete.”, thekson në reagimin me shkrim Mevlan Ademi nga Lëvizja Studentore.
