Kryeministrja daneze jep dorëheqje pas humbjes së zgjedhjeve

19.06.2015 19:07

Kryeministrja daneze, Helle Thorning-Schmidt dha sot dorëheqjen dhe njoftoi mbretëreshën Margrethe për rezultatin e zgjedhjeve që larguan nga pushteti bllokun e majtë pas humbjes ndaj opozitës së qendrës së djathtë...

“Kryeministrja do të rrijë në detyrë deri në formimin e qeverisë së re”, thanë burime nga pallati mbretëror.

Pas takimit, Throning-Schmidt u largua pa iu drejtuar medias.

Me marrjen e më shumë se 90 vendeve në parlament, në një total prej 179, blloku konservator i ish-kryeministrit Lars Lokke Rasmussen, fitoi maxhorancën e duhur për të qeverisur vendin skandinav edhe falë rezultatit të surprizë të populistëve antimigracion të Parisë së Popullit Danez, që siguruan 21,1 për qind të votave.

“Jam e bindur se Loekke Rasmussen e do vendin e tij dhe duhet të jetë i lumtur që merr në dorë një Danimarkë në formë të shkëlqyer”, deklaroi Thorning-Schmidt.