Kurti në Nju Jork: Duam statusin e shtetit kandidat pa vonesa
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që Kosovës t’i jepet pa vonesa të mëtejme statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE.
Kurti ka bërë të ditur se të mërkurën në Nju Jork mori pjesë në një drekë të shtruar nga përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Sipas Kurtit, statusi kandidat për Kosovën do të ishte përgjigje e BE-së ndaj “besnikërisë së Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe përcaktimit të qartë strategjik euroatlantik”, si dhe nxitje për reforma dhe zhvillim të mëtejshëm.
Ai ka kritikuar faktin që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë, vazhdon të mbetet pa përgjigje.
