Futboll, nis rrugëtimi në Ligën e Kombeve
Futbolli i përfaqësueseve rikthehet këtë javë në qendër të vëmendjes...

Futbolli i përfaqësueseve rikthehet këtë javë në qendër të vëmendjes, me fillimin e sezonit të pestë të Ligës së Kombeve. Maqedonia po përgatitet për sfidën e saj më të madhe deri tani në këtë kompeticion, pasi për herë të parë do të luajë në Ligën B. “Kuqezinjtë” në Grupin 1 ndeshjen e parë do ta zhvillojnë në shtëpi ndaj Zvicrës, të shtunën në orën 20:45.
Në këtë grup bëjnë pjesë edhe përfaqësueset e Skocisë dhe Sllovenisë. Dritarja e re e zgjeruar ndërkombëtare parashikon nga katër ndeshje për secilën përfaqësuese brenda rreth dhjetë ditësh.
Sezoni i pestë i Ligës së Kombeve nis sot me ndeshjen Andorra – Malta, nga ora 18:45.
Intensiteti i sezonit të ri të Ligës së Kombeve do të jetë edhe më i madh, pasi UEFA së fundmi njoftoi se ky sezon do të jetë tranzitor.
Nga sezoni i ardhshëm, kompeticioni do të reduktohet nga katër në tri divizione.
Si rezultat, mekanizmat e promovimit dhe të rënies në një ligë më të ulët janë ndryshuar.
Përfaqësueset nuk do të luajnë vetëm për trofeun, por edhe për të siguruar mbijetesën ose për të avancuar në divizionet përkatëse të reja të Ligës së Kombeve.
Edhe këtë sezon, kompeticioni do të jetë i lidhur me kualifikimin në një turne të madh, kësaj radhe për pjesëmarrje në Kampionatin Evropian “Euro 2028”, i cili do të zhvillohet në Angli, Uells, Skoci dhe Republikën e Irlandës.
Nga kualifikimet, 12 fituesit e grupeve dhe tetë skuadrat e renditura më mirë në vendin e dytë do të kualifikohen drejtpërdrejt në Kampionatin Evropian 2028.
Dy vende në këtë turne do të rezervohen për dy përfaqësueset më mirë të renditura nga vendet organizatore që nuk kanë siguruar kualifikimin e drejtpërdrejtë në kampionat.
Vendet e tjera do të përcaktohen përmes plejofit, ku do të marrin pjesë përfaqësueset e tjera të renditura në vendin e dytë në grupet kualifikuese, si dhe fituesit e grupeve të Ligës së Kombeve për sezonin 2026/2027, të cilët nuk janë kualifikuar dhe kanë renditjen më të lartë.
Sipas UEFA-s, në varësi të numrit të vendeve që do të përdoren nga përfaqësueset organizatore, numri i vendeve në Euro 2028 që do të përcaktohen përmes plejofit mund të lëvizë nga dy deri në katër.
