Plani i ri hapësinor, Filipçe: Mickoski po shet Maqedoninë
Lideri i LSDM-së Venko Filipçe...

Lideri i LSDM-së Venko Filipçe, akuzon pushtetin se me planin e ri hapësinor parashikon hapjen e pesë minierave të reja, mes tyre në Kazandoll dhe Ilovicë, duke vënë, sipas tij pasurinë kombëtare dhe shëndetin e qytetarëve në funksion të interesave financiare.
Filipçe kërkoi tërheqjen e planit, duke paralajmëruar rrezik për shëndetin nga përpunimi i xehes së antimonit, i cili sipas tij, mund të depërtojë thellë në tokë dhe në ujëra. Sipas tij, përveç Kazandollit dhe Ilovicës, dokumenti parashikon edhe tri lokacione të tjera për hapjen e minierave të reja.
“Në strategjinë e fundit hapësinore ka vende që nuk janë të shënuara si zona për miniera, ndërsa në këtë strategji të re, e cila do të vlejë për 20 vitet e ardhshme, do të shkruhet saktë dhe qartë se ku planifikohet hapja e minierave të reja. Këtu është Kazandolli, këtu është Jelovica dhe në mënyrë eksplicite shkruan se jo vetëm në këto dy vende, por edhe në tri vende të tjera. Po lexoj një pjesë të dokumentit, në faqen 187, ku shkruhet se deri në vitin 2040 duhet të hapen edhe pesë miniera të tjera: në Jelovicë, Shtukë, Kazandoll, Plavicë-Kadica dhe Luke. Pra, në këto pesë lokacione, qeveria e Mickoskit planifikon ta shesë tokën, ta shesë Maqedoninë te kompanitë e huaja, për fitime të huaja.” – deklaroi Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe.
VMRO: Investime në energji dhe antimon
I menjëhershëm ishte reagimi i VMRO-DPMNE-së, nga ku theksuan se kjo qeveri sjell investime dhe thellon bashkëpunimin me Uashingtonin dhe shumë vende të tjera.
“Venko Filipçe dhe llumi i LSDM-së këto ditë po përpiqen të manifestojnë shqetësime, duke propozuar ligje për bujqit, për pagën minimale, ndërsa dje flisnin se ishin të shqetësuar edhe për pensionistët. Qytetarët kujtojnë edhe se kush e shiste shtetin. Nga ana tjetër, qytetarët shohin se çfarë ndryshimi po ndodh në Maqedoni. Këto ditë kryeministri Mickoski nga SHBA-ja paralajmëron thellim të mëtejshëm të partneritetit strategjik me Uashingtonin, investime në antimon, qendra të të dhënave dhe energjetikë.” – tha Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
Ndërkohë socialdemokratët paralajmërojnë se do ta bllokojnë planin e ri hapësinor dhe hapjen e minierave në Ilovicë, Kazandoll, Plavicë, Luke dhe Kadicë, ndërsa nga VMRO-DPMNE-ja së fundmi theksuan se edhe një kryetar komune nga radhët e LSDM-së mbështet nxjerrjen e antimonit, ndërsa partia e tij kundërshton hapjen e minierave.
Tema e minierave dhe nxjerrjes së antimonit tashmë për të dytën javë radhazi mbetet në qendër të përplasjes politike mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. (Rexhep Qamili, TVM2)
