Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, “E Majta” e hapur për rihapjen e dialogut
Grupi parlamentar i “Së Majtës” deri të hënën...

Grupi parlamentar i “Së Majtës” deri të hënën do të presë rihapjen e dialogut për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndërsa nëse kjo nuk ndodh, paralajmëron se do të dorëzojë propozim-ndryshimet e veta.
Koordinatori i grupit parlamentar, Borislav Kërmov, tha se do të presin të shohin nëse partitë e tjera do të pajtohen për rihapjen e dialogut dhe cili do të jetë rezultati i propozimit të ministrit të Drejtësisë, Jeton Shaqivari.
Nga “E Majta” thonë se mbeten të hapur për dialog dhe e përshëndesin iniciativën e ministrit, por vlerësojnë se ndryshimet janë më se të nevojshme.
“Ne planifikojmë që në mënyrë ligjore të përpiqemi ta ndryshojmë këtë padrejtësi, përmes disa inciativave dhe propozim-ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Por fillimisht do të merremi me kërkesën e parë, ku praktikisht do të kërkojmë të hiqet reklamimi politik me pagesë. Mendoj se kjo është më e drejta, sepse nëse tashmë nuk mund t’i marrin të gjitha partitë ato mjete që u takojnë, atëherë më e drejta është që askush të mos marrë asgjë. Në këtë mënyrë do të kursejmë miliona euro nga buxheti.” – u shpreh Deputeti i partisë, “E Majta”, Borislav Kërmov.
Kërmov tha se do të presë që edhe partitë e tjera të deklarohen nëse do ta pranojnë rihapjen e dialogut për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Kërmov paralajmëroi radikalizim, përkatësisht bllokimin e punës së Parlamentit, sepse, siç thotë, “E Majta” nuk planifikon të trajtohet më si parti e rendit të dytë.
Ky veprim i “Së Majtës” vjen pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese për të mos iniciuar procedurë lidhur me kërkesën e tyre për reklamimin politik me pagesë. (Rexhep Qamili, TVM2)
