Maqedoni

Operacioni "Filter", 69 milion cigare të sekuestruara

24.09.2026 14:14

Në operacionin „Filter“ të Drejtorisë së Doganave, Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion...

Në operacionin „Filter“ të Drejtorisë së Doganave, Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion dhe MPB-së, është zbuluar një sistem i organizuar për kontrabandën e sasive të mëdha të cigareve dhe shmangien e pagesës së detyrimeve ndaj shtetit. Dëmi i shkaktuar buxhetit vlerësohet në 377 milionë denarë, ose mbi 6 milionë euro, ndërsa janë sekuestruar 69 milionë e 350 mijë copë cigare.
 
Në këtë rast janë bastisë 23 lokacione, të përfshirë janë tre persona juridikë dhe 18 persona fizikë. Deri tani janë ndaluar 13 persona, ndërsa tre persona të tjerë nuk kanë qenë të disponueshëm gjatë bastisjeve, pasi ndodhen jashtë vendit.
 
Mes tyre janë tre zyrtarë policorë, katër zyrtarë doganorë, një kompani spedicionere, një kompani transporti dhe një kompani importuese. Për rastet janë ngritur kallëzime penale për kontrabandë dhe mashtrim doganor, punë të pandërgjegjshme në shërbim, keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare, mashtrim kompjuterik, si dhe shmangie të pagesës së akcizës.
 
“Hetimi tregon qartë se veprimet e paligjshme nuk lidhen vetëm me pjesëmarrësit nga radhët e operatorëve ekonomikë, por përfshirjen edhe të personave zyrtarë, të cilët kanë autorizime ligjore dhe detyrime pune dhe që janë të obliguar pikërisht ta parandalojnë këtë lloj veprimtarie të paligjshme. Pas dorëzimit të kallëzimeve penale në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, janë lëshuar urdhra për bastisje në 23 lokacione. Bastisjet janë kryer sot në orët e hershme të mëngjesit, në koordinim të plotë me prokurorin kompetent dhe me asistencën e Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë pranë MPB-së dhe Byrosë për Siguri Publike. Nga urdhrat për bastisje të lëshuara nga prokurori kompetent, deri në këtë moment janë ndaluar 13 persona”, deklaroi Drejtori i Drejtorisë së Doganave, Boban Nikollovski.
 
Në tre nga shtatë rastet, kamionët e ngarkuar me cigare kanë hyrë në Maqedoninë e Veriut përmes pikës kufitare Bogorodicë, në procedurë tranziti, me destinacion Moldavinë dhe Serbinë.
 
Në vend që të vazhdonin transitin, cigaret janë shkarkuar ilegalisht në territorin e vendit, ndërsa kamionët më pas janë larguar bosh përmes pikës kufitare Tabanoc. Në katër rastet e tjera, kamionët kanë hyrë në vend pa u evidentuar nga shërbimet doganore dhe policore.
 
Operacioni është rezultat i një hetimi kriminalistik që ka zgjatur rreth një vit dhe ka zbuluar gjithsej shtatë raste të organizuara në disa raste të veçanta, me mënyra të ndryshme të veprimit të kundërligjshëm.Në hetim kanë ndihmuar edhe administratat doganore të Greqisë dhe Serbisë.
 
FLORIJE KAMBERI