Maqedoni
Vizita e kryeministrit në ShBA: Integrimi, siguria dhe bashkëpunimi në fokus
24.09.2026 14:50
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski...

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë vizitës në Nju Jork, ka zhvilluar një sërë takimesh dypalëshe me përfaqësues të lartë ndërkombëtarë.
Sipas njoftimeve të Qeverisë, në fokus të bisedimeve kanë qenë perspektiva evropiane e vendit, bashkëpunimi rajonal, siguria, si dhe sfidat aktuale globale.
Mickoski është takuar me presidentin e Finlandës, Alexander Stubb, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, si dhe me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.
“Takimet në Nju Jork e konfirmojnë përcaktimin e Maqedonisë për një rol aktiv dhe konstruktiv në bashkësinë ndërkombëtare, forcimin e partneriteteve dhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë dhe rajonalë. Maqedonia mbetet e përkushtuar ndaj reformave, integrimit evropian”, thuhet në komunikatën e qeverisë.
Edhe VLEN-i ka bërë publike aktivitetet e zëvendëskryeministrit të parë, Bekim Sali, në Uashington dhe Nju Jork.
“Në Uashington, Sali mori pjesë në diskutimin e Këshillit Atlantik për sigurinë, bashkëpunimin me SHBA-në dhe rrugën drejt BE-së. Në qendër të bisedimeve ishte perspektiva evropiane e rajonit dhe nevoja që zgjerimi i BE-së të mbetet në agjendën politike. Për VLEN-in, Maqedonia e Veriut duhet të jetë e pranishme në bisedat me partnerët që ndikojnë në të ardhmen e rajonit”, thuhet në komunikatën e VLEN.
LSDM: Kompani private paguan lobistë në ShBA
Ndërkohë, LSDM-ja akuzon se një kompani private nga Shkupi ka angazhuar një kompani amerikane për lobim në Uashington dhe pretendon se përmes këtij angazhimi janë promovuar tema që Qeveria i paraqet si interesa shtetërore. Opozita kërkon sqarime edhe për rolin e kompanisë në promovimin e investimeve të paralajmëruara në antimon.
TON
“Kompaninë amerikane Mercury Public Affairs e paguan firma nga Shkupi, ATS Grup DOOEL. Është kompani private. Pra, nuk e paguan Ministria e Punëve të Jashtme, nuk e paguan Qeveria, por e paguan një kompani private për municion, helmeta dhe pajisje balistike. Çmimi është 130 mijë dollarë në muaj, përkatësisht rreth 1,56 milionë dollarë në vit. Kërkojmë që i gjithë dokumentacioni të publikohet dhe të hetohet nëse interesi privat po paraqitet si interes shtetëror”, deklaroi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
Nga VMRO-DPMNE-ja i hedhin poshtë akuzat e LSDM-së dhe e paraqesin vizitën e Mickoskit në SHBA si pjesë të përpjekjeve për thellimin e bashkëpunimit strategjik dhe ekonomik me Shtetet e Bashkuara.
ERSAN PAJAZITI
