Maqedoni
U paralizua gjatë lindjes, komisioni i ekspertëve nuk ka gabim mjekësor
24.09.2026 15:44
Komisioni i ekspertëve që mbikëqyri trajtimin e gruas në lindje nga Strumica...

Komisioni i ekspertëve që mbikëqyri trajtimin e gruas në lindje nga Strumica e cila pas lindjes me prerje cezariane pësoi komplikime të rënda dhe humbi lëvizshmërinë e këmbëve nuk përcaktoi asnjë gabim mjekësor, as lidhje midis gjendjes së saj neurologjike dhe anestezisë spinale të përdorur.
Komisioni rekomandon diagnostikime shtesë për të përcaktuar përfundimisht shkakun, si dhe vazhdimin e rehabilitimit.
"Anestezia spinale u dha në pjesën lumbare (të poshtme) të shtyllës kurrizore, me një ilaç dhe dozë standarde, ndërsa ndryshimi në palcën kurrizore u përcaktua dukshëm më lart, në pjesën torakale. Ecuria postoperative u rregullua, pacientja u lirua nga spitali pa simptoma neurologjike, të cilat u shfaqën disa ditë më vonë. Sipas Komisionit, shkaku më i mundshëm është gjakderdhja spontane nga një keqformim i rrallë i enëve të gjakut në palcën kurrizore, i cili nuk mund të zbulohet me angiografi. Shkaku ende nuk është përcaktuar përfundimisht", thuhet në komunikatën e komisionit.
Klekovski: Do të mbështesim pacienten në trajtim
Ministri I Shëndetësisë thekson se do të vazhdojnë t’i japin mbështetje pacientes në trajtimin dhe rehabilitimin e nevojshëm deri në përmirësimin e gjendjes shëndetësore.
"Kur një nënë e re përballet me pasoja të tilla pas lindjes, ia kemi borxh asaj, familjes së saj dhe publikut t'i japim një përgjigje të qartë dhe profesionale. Kjo është arsyeja pse formuam një komision me ekspertë nga vendi dhe jashtë vendit. Përfundimi i tyre është unanim - nuk kishte gabim mjekësor. Kjo nuk e zvogëlon ashpërsinë e asaj që po kalon. Ministria do të vazhdojë t'i ofrojë asaj të gjithë mbështetjen e nevojshme në trajtim dhe rehabilitim", deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Komisioni për mbikëqyrjen e punës profesionale përbëhej nga pesë ekspertë - një gjinekolog, anesteziolog, neurolog, neurokirurg dhe një radiolog, ku dy nga ekspertët ishin nga Serbia dhe Sllovenia. Nga Ministria e Shëndetësisë informojnë se ata mbeten në kontakt me pacienten dhe familjen e saj dhe do të vazhdojnë ta mbështesin atë në procesin e trajtimit dhe rehabilitimit.
VLORA LATIFI TOPOJANI
