Botë

Vendimi i kushtetueses, Haxhiu të premten mbledh kryesinë

24.09.2026 16:56

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, të premten do të mbledh kryesinë...

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, të premten do të mbledh kryesinë e kuvendit për t’i diskutuar veprimet që do të ndërmerren pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Haxhiu bëri të ditur se mbledhja e kryesisë është thirrur për ora 11.
 
“Nesër pas mbledhjes së Kryesisë do ta kem një paraqitje për media”, deklaroi kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu. 
 
Kryesia pritet të shqyrtojë edhe çështje të tjera përfshi vendosjen në rend dite të propozimit të PDK-së për ndryshimet ligjore në ligjin për Dhomat e Specializuara në Hagë. Ndryshe Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.
 
Gjykata ka konstatuar gjithashtu se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit 30-ditor të përcaktuar me Kushtetutë. Sipas vendimit, kalimi i këtij afati për konstituimin e Kuvendit ka pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, në rastin kur posti i Presidentit është vakant, si dhe për zgjedhjen e Qeverisë.
 
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se vendimi i Kuvendit, i 13 shtatorit 2026, për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës, që përcakton procedurën për zgjedhjen e Qeverisë.
 
Në aktgjykim, Gjykata ka konstatuar edhe se deputetët e Kuvendit duhet që sa më parë të zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me Kushtetutën. Nëse nuk zgjidhet Presidenti brenda afatit kushtetues, Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme jo më vonë se deri më 15 nëntor.
 
GYLTENE SINANI