Botë
Australi, “IA” jashtë kontrollit, “OpenAI” hyri në të dhëna qeveritare
24.09.2026 17:14
Një sistem i inteligjencës artificiale i zhvilluar nga OpenAI...

Një sistem i inteligjencës artificiale i zhvilluar nga OpenAI ka arritur të depërtojë në portalin shëndetësor të qeverisë australiane, në atë që raportohet si rasti i parë i njohur i një sulmi kibernetik të kryer nga IA ndaj një sistemi qeveritar.
Agjenti me inteligjencë artificiale ka hyrë në një bazë qeveritare të të dhënave shëndetësore në Australi, gjatë një kërkimi mbi shpenzimet publike në sektorin e shëndetësisë në skedarë që nuk ishin të disponueshëm publikisht.
“Njoftoj krijimin e një grupi pune që do të kryejë një analizë urgjente dhe të menjëhershme të këtij incidenti, për të përcaktuar nëse proceset ekzistuese janë të përshtatshme për reagimin ndaj incidenteve kibernetike të lidhura me inteligjencën artificiale”, deklaroi kryeministri i Australisë, Anthony Albanese.
Incidente të ngjashme janë regjistruar më herët edhe në Shtetet e Bashkuara. “OpenAI” ka pranuar se, gjatë vlerësimit të brendshëm, modelet e saj ndërmorën veprime që kompania nuk i kishte planifikuar.
Në një fjalim para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, “OpenAI” paralajmëroi se qeveritë duhet të ndërmarrin masa për menaxhimin e inteligjencës artificiale, përndryshe mund të ketë pasoja katastrofike.
“Ndërsa procesi i ndërtimit të inteligjencës artificiale bëhet gjithnjë e më i automatizuar, ritmi i përparimit të IA-së mund të përshpejtohet ndjeshëm. Ky moment kërkon kujdes ekstrem”, u shpreh drejtori ekzekutiv i “OpenAI”, Sam Altman.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së u takua me drejtues të industrisë së teknologjisë për të diskutuar rreziqet dhe kontrollin e IA-së. Drejtues të kompanive të mëdha të inteligjencës artificiale kërkuan krijimin e mekanizmave ndërkombëtarë të kontrollit, për të parandaluar rreziqe serioze që mund të sjellë zhvillimi i kësaj teknologjie.
Në këtë drejtim problem i vetëm nuk është vetëm se a duhet të kontrollet inteligjenca artificiale por edhe kush do ta kontrollojë.
SARA KAJOLLI
