Botë
Takimi Trump – Xi Jinping: Marrëveshje për tarifat, investimet dhe IA
24.09.2026 17:50
Me tapet të kuq, presidenti amerikan Donald Tramp priti personalisht homologun...

Me tapet të kuq, presidenti amerikan Donald Tramp priti personalisht homologun e tij kinez Xi Jinping. A nënkupton kjo vizitë e presidentit kinez ndryshime të mëdha në skenën gjeopolitike globale? Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha se pavarësisht mosmarrëveshjeve dhe dallimeve me qeverinë kineze, ky takim është veprim i përgjegjshëm shtetëror.
“Bëhet fjalë për ekonominë e dytë më të madhe në botë, me një fuqi të konsiderueshme ushtarake, e cila po kalon një proces të forcimit ushtarak me ritmin më të shpejtë, ndoshta në histori. Për më tepër, është një vend me të cilin kemi edhe pika serioze mosmarrëveshjeje sa i përket tregtisë, zinxhirëve të furnizimit, mineraleve kritike dhe çështjeve të tjera. Prandaj, mendoj se është një veprim i përgjegjshëm shtetëror që liderët tanë të dialogojnë dhe të takohen. Kështu e shohim këtë takim dhe kështu e shohim këtë vizitë”, deklaroi sekretari i shtetit i ShBA-së, Marco Rubio.
Ndërkohë, në axhendën e Xi Jinping dhe Donald Trump janë një sërë sfidash me të cilat përballet bota sot. Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur një marrëveshje të përbashkët për disa çështje ekonomike dhe tregtare gjatë raundit të fundit të konsultimeve.
“Palët arritën disa konsensuse mbi çështje ekonomike dhe tregtare me interes të përbashkët, përfshirë zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese të konsultimeve ekonomike dhe tregtare, rregullimet për uljen reciproke të tarifave doganore, krijimin e një këshilli tregtar dhe një këshilli për investimet, si dhe zgjatjen e marrëveshjes së përbashkët të konsultimeve ekonomike dhe tregtare të Kuala Lumpurit”, u shpreh zëdhënësi i ministrisë së tregtisë së Kinës, He Yadong.
Pritet që në tryezën e diskutimeve mes Tramp dhe Xi Jinping të jenë kriza ekonomike dhe energjetike, luftërat në Ukrainë dhe Iran, çështja e armëve bërthamore, statusi i Tajvanit, si dhe paralajmërimet se inteligjenca artificiale së shpejti mund të dalë jashtë kontrollit.
SARA KAJOLLI
