Agjensia e Mërgatës me program, nis mësimi online i gjuhës shqipe për diasporën
24.09.2026 19:22
Gjuha shqipe përdoret gjithnjë e më pak nga fëmijët shqiptarë...

Gjuha shqipe përdoret gjithnjë e më pak nga fëmijët shqiptarë që rriten larg vendlindjes. Për ata që e kanë nisur shkollimin në diasporë dhe druajnë se mund ta harrojnë gjuhën amtare, Agjencia e Mërgatës ofron mundësinë e mësimit online të gjuhës shqipe.
Fëmijët nga 6 deri në 15 vjeç mund të regjistrohen në këto kurse, me synimin që shqipja të mos mbetet vetëm gjuha që dëgjojnë në shtëpi, por të vazhdojë të jetë gjuhë që e flasin, e lexojnë dhe e shkruajnë. Zv/drejtori i kësaj agjensia Fatlum Jusufi, njofton se procesi i regjistrimit ka filluar dhe është ende i hapur.
“Ka filluar regjistrimi dhe ne sapo kemi promovuar mësimin e gjuhës shqipe online. Kanë filluar të vijnë kërkesa në adresat tona elektronike për regjistrimin e fëmijëve të tyre. Numri i të interesuarve është rritur dukshëm krahasuar me vitin e kaluar, sepse prindërit nuk kanë pasur ku të drejtohen, ku t’i regjistrojnë fëmijët ose te cilët mësimdhënës t’i drejtojnë ata. Vlen të theksohet se, përmes këtij programi, fëmijët në diasporë, pavarësisht se ku jetojnë, kanë mundësi ta mësojnë rregullisht gjuhën shqipe”, deklaroi Fatlum Jusufi nga Agjensia e Mërgatës.
Sipas Jusufit, këto përpjekje synojnë që fëmijët shqiptarë që rriten larg vendlindjes të ruajnë lidhjen me gjuhën, kulturën, traditat dhe rrënjët e tyre. Ai u bën thirrje prindërve në diasporë t’i regjistrojnë fëmijët në programin e mësimit online të gjuhës shqipe, i cili është falas dhe i hapur për të gjithë fëmijët.
“Ftoj të gjithë prindërit në diasporë, shoqatat e mërgimtarëve dhe organizatat e mërgatës që të bëhen pjesë e kësaj iniciative. Për regjistrim, ata duhet të drejtohen në adresat tona elektronike. Çdo prind duhet të bëjë kërkesën duke dërguar emrin, mbiemrin dhe qytetin ku jeton në diasporë, dhe më pas ne bëjmë regjistrimin. Më 1 tetor fillon mësimi online”, u shpreh Jusufi.
Mësimin nxënësit do ta ndjekin online, dy herë në javë, nga dy orë mësimore. Sipas Jusufit, krahas mësimit online, Agjencia e Mërgatës po vazhdon të mbështesë edhe shkollat shqipe në diasporë, duke i furnizuar me libra dhe materiale të nevojshme për zhvillimin e procesit mësimor.
FARIJE DAUTI BAKIU
