Kolumbia ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe rreshtohet krah SHBA-ve
Qeveria e Kolumbisë ka marrë vendimin...

Qeveria e Kolumbisë ka marrë vendimin për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, duke u rreshtuar hapur krah politikës së jashtme të aleatit të saj kryesor strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përmes një deklarate zyrtare, autoritetet kolumbiane bënë me dije se ky hap u ndërmor për shkak të shqetësimeve serioze që lidhen me sigurinë kombëtare dhe hemisferike. Ndër faktorët kyçë të përmendur përfshihen lidhjet e dyshuara të Teheranit me grupe ndërkombëtare terroriste dhe narkoterroriste, si dhe shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut.
Vendimi për ndërprerjen e marrëdhënieve u formalizua më 19 shtator, ndërsa Ministria e Jashtme e Kolumbisë sqaroi në një njoftim zyrtar se marrëdhëniet konsullore mes dy vendeve do të vijojnë të ruhen.
Sipas diplomacisë kolumbiane, në marrjen e këtij vendimi peshuan gjithashtu sulmet e verifikuara kundër shteteve që nuk janë pjesë e konfliktit në Lindjen e Mesme, bllokada e Ngushticës së Hormuzit dhe pengimi i përpjekjeve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për verifikimin e fushëveprimit të programit bërthamor iranian. Këto zhvillime, sipas Bogotës zyrtare, cenuan përfundimisht besimin te qeveria e Republikës Islamike.
