“Katër stinët” e Vivaldit, Ansambli muzikor i Tetovës hap sezonin e vjeshtës
Ansambli Muzikor i Tetovës hap sezonin e vjeshtës...

Ansambli Muzikor i Tetovës hap sezonin e vjeshtës me koncertin e gjashtë për këtë vit, ndërsa të parin në kuadër të sezonit të ri. Në Sallën e Madhe të Pallatit të Kulturës në Tetovë, sonte nga ora 20:00, publiku do të ketë mundësi të ndjekë një nga veprat më të njohura të repertorit klasik – “Katër stinët” të Antonio Vivaldit.
Në skenë, si soliste në violinë do të interpretojë Sihana Badivuku, ndërsa koncerti do të zhvillohet nën drejtimin e dirigjentit Premtim Etemi.
“Këtë sezon do ta hapim me një nga kryeveprat e repertorit klasik, pra Antonio Vivaldi, “Katër stinët”. Në skenë do të ngjitet solistja Sihana Badivuku, nën dirigjimin e Premtim Etemit.”, - theksoi drejtori i Ansamblit Shtetëror, Blerim Qamili.
Pas koncertit hapës, Ansambli do të vazhdojë sezonin edhe me katër koncerte të tjera, me programe të ndryshme instrumentale dhe korale. Në program janë përfshirë koncerte për piano dhe instrumente frymore, flaut, oboa, violinë e harpë, si dhe një koncert koral.
Sezoni i vjeshtës do të përmbyllet më 27 nëntor, me Koncertin Gala kushtuar Festave të Nëntorit. Për dashamirët e muzikës klasike, koncerti i mbrëmjes së sotme nis në ora 20:00, në Sallën e Madhe të Pallatit të Kulturës në Tetovë. (Ardita Ramadani, TVM2)
