Ndërtimtari, futja e Eurokodeve 2.0 standard kombëtar

25.09.2026 14:27

Ndërtimtaria në vend duhet të kalojë në një standard të ri...

Ndërtimtaria në vend duhet të kalojë në një standard të ri. Ekspertët, institucionet dhe profesionistët e fushës kërkojnë përshpejtimin e procesit për zbatimin e gjeneratës së dytë të Eurokodeve, standarde që synojnë ndërtime më të sigurta, më cilësore dhe rregulla më të qarta për të gjithë sektorin.

Kjo ishte në fokus të debatit të sotëm mes profesionistëve të ndërtimtarisë, kushtuar zbatimit të Eurokodeve 2.0.

Apeli nga konferenca ishte i qartë, vendi duhet të përshpejtojë përshtatjen me standardet e reja evropiane, pasi deri më tani në sektorin e ndërtimtarisë vazhdojnë të përdoren standarde të vjetra, ndërsa në Evropë tashmë po zbatohet gjenerata e re e Eurokodeve.

“Edhe njëherë apelojmë që Eurokodet duhet t’i miratojmë në një periudhë sa më të shkurtër kohore. Sot jemi këtu së bashku me të gjitha institucionet, fakultetet, Odën e Inxhinierëve të Licencuar dhe Institutin e Standardizimit, për të apeluar, për të ndihmuar dhe për të sugjeruar se ne jemi këtu dhe se do t’ua ofrojmë të gjitha burimet dhe njohuritë tona sektorëve, me qëllim që ky proces i futjes së Eurokodeve 2.0 si standarde kombëtare të jetë sa më i shkurtër.”, - deklaroi kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarisë, Andrea Serafimovski.

Ndryshimi, sipas profesionistëve, nuk kërkon vetëm miratimin e standardeve të reja, por edhe përgatitjen e të gjithë sektorit për zbatimin e tyre.

“Nevojiten plane strategjike për futjen e kësaj gjenerate. Çdo inxhinier duhet të jetë i përgatitur për atë që e pret në të ardhmen. E dimë se procesi nuk është i lehtë dhe se ka shumë vështirësi që duhet të tejkalohen, por sot mendojmë se së bashku mund t’ia dalim.”, - theksoi kryetari i Odës së Inxhinierëve të Licencuar, Dejan Mitiq.

Sigurisht se ky proces do të kontribuojë në ndërtimin e objekteve më të mira dhe më të sigurta në vend, si dhe në rritjen e cilësisë së tyre, thonë ekspertët. Por, jo vetëm kaq. Sipas dekanit të Fakultetit të Ndërtimtarisë, me zbatimin e tërësishëm të gjeneratës së dytë të Eurokodeve do të tejkalohen edhe problemet e deritanishme në ndërtimtari.

“Me këtë do të tregojmë se shteti ynë është i gatshëm t’i ndjekë standardet dhe rregulloret e Bashkimit Evropian. Kjo iniciativë është e rëndësishme, sepse në fushën tonë do të kontribuojë në rritjen e cilësisë së profesionit, por edhe të vetë ndërtimeve. Fakulteti i Ndërtimtarisë prej vitesh është i përfshirë në këtë proces. Konsiderojmë se deri tani procesi ka qenë i ngadalësuar dhe se tani duhet të përshpejtohet.”, - u shpreh dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Josif Josifovski.

“Gjenerata e re e Eurokodeve, tani e tutje do të duhet të fillojmë t’u përshtatemi standardeve të reja dhe deri në mars të vitit 2028.”, - theksoi drejtori i Institutit për Standardizim të RMV-së, Gazmend Aliu.

Në Evropë prej kohësh po punohet për zbatimin e gjeneratës së dytë të Eurokodeve, ndërsa vendi ynë duhet ta ndjekë të njëjtin proces, thonë njohësit e fushës.

Ata theksojnë se aktualisht në vend përdoren standarde që datojnë nga vitet 80 të shekullit të kaluar. Sipas tyre, Eurokodet do të sjellin kushte më të qarta pune dhe do të harmonizojnë legjislacionin vendas me rregullativën evropiane. (Rexhep Qamili, TVM2)