Shtatë ndeshje pa fitore, Maqedonia përballë sfidës së re ndaj Zvicrës
Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut...

Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut, nesër në Shkup nis ciklin e ri në Ligën e Kombeve B1. Ndeshja ndaj Zvicrës vjen në një periudhë kur rezultatet nuk janë në favor të “kuqeverdhëve”.
Fitoren e fundit Maqedonia e ka të shënuar më 7 shtator 2025, kur në shtëpi mposhti Lihtenshtajnin me rezultatin 5:0, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026-të.
Që atëherë, rezultatet kanë qenë larg asaj që synohet, ndërsa seria pa fitore filloi me tri ndeshjet e fundit të epokës së Blagoja Milevskit.
Kriza e fitoreve dhe shënimit të golave vazhdoi edhe nën drejtimin e Goce Sedlloskit. Në fakt, në katër ndeshjet që kur Sedlloski mori drejtimin e përfaqësueses, Maqedonia nuk ka shënuar asnjë gol.
“Kuqeverdhët” kanë pësuar dy humbje me rezultat identik 0:4, ndaj Danimarkës në “play offin” e botërorit dhe Turqisë në kontrolluese, ndërsa në dy ndeshjet e tjera kanë barazuar pa gola (0:0) ndaj Bosnjë-Hercegovinës dhe Irlandës.
Kështu, në katër ndeshjet e para nën drejtimin e trajnerit të ri, Maqedonia ka shënuar zero gola dhe ka pranuar tetë.
Tani përpara ekipit të drejtuar nga Sedlloski është një sfidë e re dhe një mundësi që ciklin e ri ta nisë me rezultat pozitiv. Kundërshtare është Zvicra, përfaqësuese me të cilën Maqedonia për herë të parë do të luajë një ndeshje zyrtare.
Ndeshja e së shtunës nuk sjell vetëm mundësinë për pikë të reja në Ligën e Kombeve. Ajo do të jetë edhe testi i parë i madh për ciklin e ri, për ekipin e drejtuar nga Sedlloski dhe për aftësinë e Maqedonisë për t'i dhënë fund serisë pa fitore dhe pa gol të shënuar. Ky do të jetë takimi i parë nga katër ndeshjet e njëpasnjëshme në një cikël tejet të ngjeshur. Pas Zvicrës, Maqedoninë e presin transferta ndaj Sllovenisë, ndeshja në shtëpi me Skocinë dhe më pas një tjetër ndeshje në terren të huaj ndaj Zvicrës. (Safet Ademi, TVM2)
