Eurointegrimi, Sali: Procesi duhet të jetë transparent

25.09.2026 14:45

Procesi eurointegrues duhet të jetë transparent...

Procesi eurointegrues duhet të jetë transparent dhe i qartë për qytetarët. Zëvendëskryeministri Bekim Sali thotë se vendimet duhet të sigurojnë zgjidhje të qëndrueshme, ndërsa qytetarët duhet të dinë për çmimin që duhet paguar në këtë proces.

Në intervistë për TVM1, nga ShBA-ja, Sali nuk ka komentuar aq shumë ardhjen e paralajmëruar të kryetares së ekzekutivit të BE-së, por ka shtuar se me zyrtarët evropianë, vendi ynë gjithmonë i ka të njëjtat qëndrime.

“Nuk mund të paragjykoj se çka konkretisht do të sjellë kryetarja e KE-së Von der Leyen, por megjithatë vazhdimisht përcjellim qëndrimet e njëjta. Ne të gjithë jemi të pajtimit se qytetarët tanë meritojnë të dinë konkretisht se cili është hapi i radhës dhe si do të veprohet dhe me çfarë çmimi ne do të ishim pjesë e BE-së. Në këtë drejtim, ne gjatë gjithë kohës i përsërisim qëndrimet tona se procesi duhet të jetë transparent, i qartë, kredibil dhe proces i qëndrueshëm, në të cilin nuk do të ketë ndryshim të qëndrimeve për disa shtete, ndërsa për të tjerat të ketë pengesa bilaterale dhe vlerësoj se tërë procesi duhet të jetë mbi baza të meritave.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Bekim Sali.

Mucunski: Pengesa kryesore, Sofja zyrtare

Nga distanca evropiane, deklaratë edhe ministri i Jashtëm, Timço Mucunski. Duke folur për procesin eurointegrues, ai pengesën kryesore ia atribuon Bullgarisë, si pengesë kryesore në aspirata.

“Nuk i kemi në nivel të duhur raportet bilaterale me Bullgarinë fqinje. Shumë janë të fokusuar në të kaluarën në vend të fokusi të jetë në të ardhmen. Kjo është ajo që ne ia përcjellim fqinjit tonë. Këtë do të vazhdojmë ta bëjmë. Ne do të jemi aktorë proaktivë, por për zgjidhjen e çfarëdo kontesti, nëse është e natyrës bilaterale apo mulilaterale, patjetër të ekzistojë dëshira për zgjidhje. Për fat të keq ndjenja është se për momentin në Sofje ekziston ndjenja e mungesës së dëshirës, por megjithatë ne do të vazhdojmë të jemi afirmativ dhe të gjejmë zgjidhje të cilën shpesh e përsërisim në kuadër të mbrojtjes së interesit nacional.”, - theksoi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.

Dy figurat politike të diplomacisë dhe eurointegrimeve presin që iniciativa e BE-së për ndryshime në zgjerim, e cila ende është joformale, të përmbajë elemente në përafrimin e vendeve të rajonit drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Delegacioni qeveritar në ShBA, Mexhiti takon diasporën shqiptare në Nju Jork

Ndërkohë bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, në kuadër të qëndrimit zyrtar në ShBA ka marrë pjesë në Galën e Këshillit për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane në Nju Jork, ku ka vlerësuar rolin e diasporës shqiptare dhe marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Detyra jonë është ta ruajmë dhe ta forcojmë këtë miqësi, ndërsa potencialin e diasporës sonë ta kthejmë në më shumë përfaqësim, bashkëpunim dhe mbështetje për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Shqipëri dhe kudo ku jetojnë.”, thuhet në postimin e Mexhitit.