Maqedoni
Kopshti zoologjik feston 100-vjetorin e tij, 22 shkolla të mesme me aktivitet humanitar
25.09.2026 16:33
Nën moton "100 vjet Kopshti Zoologjik - 100 vjet kujdes për kafshët"...

Nën moton "100 vjet Kopshti Zoologjik - 100 vjet kujdes për kafshët", sot dhe nesër do të mbahet një treg në Kopshtin Zoologjik të Shkupit, nga ora 12:00 deri në orën 15:00.
Nxënësit nga 22 shkolla të mesme në Shkup do të prezantojnë produktet e tyre krijuese, punimet artizanale, të cilat vizitorët do të kenë mundësi t'i blejnë, ndërsa fondet e mbledhura dedikohen për kushtet e kafshëve në Kopshtin Zoologjik.
“Nëse flas në aspektin si mësimdhënëse dhe si prind është mirë që t’i marrim fëmijët dhe t’i angazhojmë më shumë në hapësira të këtilla. Në këtë mënyrë do të ndihmohet edhe kopshti zoologjik dhe në këtë mënyrë do t’u ndihmojmë fëmijëve që të rrinë larg ekraneve, siç i kemi mësuar vazhdimisht.”, - deklaroi mësimdhënësja në ShM “Dimitar Vllahov”, Valbona Kadriu.
“Sot janë këtu dhe me shumë dashuri ndaj kafshëve dhe gjithçka që do të ekspozohet dhe shitet në treg do të dhurohen për kushte më të mira për kafshët në të ardhmen dhe ky është vetëm një hap nga ajo që na pret në vazhdim.”, - theksoi e punësuara në Kopshtin Zoologjik, Tina Mickoska.
Qëllimi i këtij eventi është të inkurajojë kreativitetin tek të rinjtë, por edhe të forcojë empatinë, përgjegjësinë dhe kujdesin për kafshët.
VLORA LATIFI TOPOJANI
