Maqedoni
Rikonstruim i spitalit në Ohër, Klekovski: Investim 2 milionë euro
25.09.2026 17:09
Deri në fund të këtij viti do të përfundojë rikonstruksioni i krahut të ri spitalor...

Deri në fund të këtij viti do të përfundojë rikonstruksioni i krahut të ri spitalor në spitalin special “Shën Erazmo” në Ohër. Investimi do të kalojë 2 milionë euro.
Është zgjedhur kompania që do të përfundojë punimet ndërtimore, ndërsa me këtë projekt spitali do të bëhet me salla të reja operacioni, kujdes intensiv modern dhe kushte më të mira për pacientët. Pritet të rritet vëllimi i ndërhyrjeve, kurse spitali të shndërrohet në një qendër rajonale.
“Procedurat për prokurimin e pajisjeve një pjesë janë në rrjedhë e sipër, një pjesë do të publikohen, dhe unë po vendos një afat që deri për Vitin e Ri, krahu i ri që është praktikisht një spital tërësisht i ri të vihet në përdorim.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Për udhëheqësinë e “Shën Erazmos”, përfundimi i krahut të ri do të thotë mundësi për zgjerimin e shërbimeve mjekësore dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e ortopedisë dhe neurokirurgjisë.
“Kështu siç po e ndërtojmë rrugën, së pari në mënyrë profesionale, e më pas tani me angazhimin e Qeverisë dhe me një mbështetje të tillë që kemi, të bëhemi një qendër referente në ortopedi dhe në neurokirurgji.”, - theksoi drejtori i spitalit në Ohër, Hari Shokarivski.
Rikonstruksioni i krahut të ri spitalor nisi në vitin 2016. Edhe pse pjesa më e madhe e punimeve ndërtimore kishte përfunduar, projekti mbeti në pezullim për vite me radhë.
BELINDA KOKA ADEMI
