Maqedoni

Sfidat e zgjerimit, BE kërkon konsensus, rajoni pret strategji

25.09.2026 15:57

Integrimi i Ballkanit Perëndimor po përballet jo vetëm me nevojën për reforma...

Integrimi i Ballkanit Perëndimor po përballet jo vetëm me nevojën për reforma të brendshme në BE, por edhe me mungesën e një vizioni të qartë strategjik nga vetë blloku evropian. Kjo u tha në një panel diskutimi mbi të ardhmen e zgjerimit, ku ekspertët theksuan se drita e kuqe për rajonin shpesh vjen nga vështirësia e 27 vendeve anëtare për të ndërtuar konsensus, si dhe nga luhatjet politike të vetë Brukselit.
 
“Ne nuk jemi një shtet i vetëm. Ne jemi 27 shtete. Duhet të kemi një lloj harmonizimi të pikëpamjeve, një lloj konsensusi më herët apo më vonë. Dhe unë shoh se ky konsensus po vjen. Prej sa e sa vitesh po diskutojmë për reforma në Bashkimin Evropian, si vendosjen e shumicës së kualifikuar për shembull. Nëse nuk shohim një harmonizim të pikëpamjeve së shpejti, mendoj se do të jetë shumë e vështirë të kemi momentumin politik për integrim në Bashkimin Evropian.”, - deklaroi profesori universitar, Joanis Armakolas. 
 
Nga ana tjetër, sa i përket mbështetjes së supozuar të munguar nga Evropa për rajonin, u vlerësua se pengesa kryesore nuk qëndron te refuzimi, por te heshtja strategjike e vetë bllokut.
 
“Pse mungon një mbështetje e tillë nga Evropa? Jo, sepse Evropa nuk i do vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk e do Maqedoninë e Veriut apo sepse dikush ka diçka thellësisht kundër nesh, por sepse Bashkimi Evropian ose shumë vende evropiane ende nuk e dinë se çfarë duan në lidhje me Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Evropën Lindore apo Ukrainën dhe Moldavinë.”, - theksoi profesori Univeristar, Aleksandar Spasov.
 
Diskutimet reflektojnë dilemat aktuale me të cilat përballet procesi i zgjerimit, në një kohë kur reformat e brendshme të BE-së dhe ndryshimet gjeopolitike po përcaktojnë ritmin e anëtarësimit për vendet aspiruese.
 
ERSAN PAJAZITI