Vendimi dënues për ish-krerët e UÇK-së, partitë pajtohen për rezolutë kundërshtuese
25.09.2026 17:18
Kuvendi i Republikës së Kosovës të hënën e javës që vjen...

Kuvendi i Republikës së Kosovës të hënën e javës që vjen do të miratojë një deklaratë të përbashkët me anë të së cilës do të shprehet mospajtimi i Kuvendit me vendimin dënues të Gjykatës Speciale në Hagë për katër ish-krerët e UÇK-së.
Deklarata u iniciua nga deputetët e PDK-së, por është rënë dakord që teksti i saj të përpilohet në koordinim mes të gjitha subjekteve parlamentare.
“Në emër të PDK-së, edhe kryesisë së Kuvendit, i kërkova që fillimisht edhe pse shumë e vonuar, Kuvendi i Republikës së Kosovës ta ketë një deklaratë të përbashkët dhe u dakorduan që ta kemi një deklaratë të përbashkët në seancën që do të bëhet ditën e hënë.”, - deklaroi Arian Tahiri nga PDK.
“Ne jemi dakorduar që në kryesi të Kuvendit paraprakisht të mos vendosen deputetët para një akti të kryer që të kontribuojnë në draftimin e kësaj deklarate. Pra, të jetë një qëndrim i Kuvendit në raport me situatën aktuale. Ju e dini që deklaratat nuk kanë ndonjë peshë juridike, por politikisht Kuvendi ta ketë një qëndrim në raport me këtë proces.”, - theksoi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Ndërsa sa i përket nismës së PDK-së për ndryshime në ligjin për Gjykatën Speciale në Hagë, është rënë dakord që ai të vendoset në rend dite në Kuvend pas mendimit të Qeverisë.
“Por, më e rëndësishme se sa deklarata është projektligji, nisma ligjore, të cilën ne tashmë veç e kemi bërë, kemi dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, dhe prej Kuvendit të Kosovës nisma ka shkuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Andej, tash, presioni e kërkesa e të gjithëve duhet të jetë te Qeveria e Republikës së Kosovës.”, - u shpreh Arian Tahiri nga PDK.
“Megjithatë mendoj se shumë më e drejtë do të ishte që çfarëdo të bënim të vinim bashkërisht në komisionin për legjislacion, ku ka përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare dhe të draftonin një ndryshim plotësim të ligjit, ose paraprakisht të paktën të konsultohen ekspertët e fushës e po ashtu ekipet mbrojtëse. Unë nuk mendoj se bëjmë mirë në qoftë se nuk i konsultojmë ekipet mbrojtëse për çfarëdo iniciative ligjore. Sipas informacioneve që ne i kemi, ekipet mbrojtëse nuk janë konsultuar dhe mendoj se është gabim.”, - theksoi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Pas dërgimit të projektligjit në Qeveri, kjo e fundit ka afat 30-ditor për ta shqyrtuar të njëjtin dhe ta dërgojë mendimin e saj në Kuvend, në të kundërtën Kuvendi mund të vazhdojë me shqyrtimin e projektligjit, bëri të ditur kryerparlamentarja Haxhiu.
GYLTENE SINANI
