IA, pjesë e institucioneve, sfida e re e sigurisë në epokën digjitale

25.09.2026 17:18

Zhvillimi i shpejtë teknologjik dhe përdorimi gjithnjë e më i madh i inteligjencës artificiale...

Zhvillimi i shpejtë teknologjik dhe përdorimi gjithnjë e më i madh i inteligjencës artificiale po sjellin mundësi të reja, por njëkohësisht edhe sfida të reja për sigurinë dhe institucionet. Kërcënimet kibernetike, dezinformimi dhe mbrojtja e privatësisë po bëhen çështje gjithnjë e më të rëndësishme, ndërsa institucionet po përballen me nevojën për t’iu përshtatur një realiteti të ri teknologjik.
 
Në këtë drejtim, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se ministria që ai drejton, planifikon të fillojë aplikimin e teknologjive të reja digjitale, përfshirë edhe inteligjencën artificiale, me qëllim përmirësimin e punës së institucionit.
 
“Ministria e Punëve të Brendshme, gjatë këtij viti dhe veçanërisht gjatë vitit 2027, do të fillojë të aplikojë edhe teknologji të caktuara që përfshijnë mjete digjitale që përfshijnë inteligjencën artificiale, të cilat përfshijnë gjithçka që i ofrohet shekullit 21 si një sfidë teknologjike dhe çdo hap që e kemi ndërmarrë deri tani është i orientuar në drejtim të përmirësimit të punës së Ministrisë së Punëve të Brendshme.”, - deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
 
Por, krahas mundësive që sjell teknologjia, përdorimi i saj hap edhe çështje të reja në aspektin e sigurisë. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, theksoi se shoqëria përballet me tri sfida kyçe që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin teknologjik: kërcënimet kibernetike, dezinformimin dhe mbrojtjen e privatësisë.
 
“Në këtë epokë të re përballemi me tri sfida kyçe: kërcënimet gjithnjë e më të avancuara kibernetike, dezinformimin dhe mbrojtjen e privatësisë. Sa më e zgjuar dhe e ndërlidhur të jetë infrastruktura, aq më i madh është ekspozimi ndaj sulmeve kibernetike. Këto sulme nuk synojnë vetëm të dhënat, por mund të cenojnë edhe funksionimin e tërësishëm të qyteteve, si dhe sistemet dhe shërbimet në fusha të ndryshme.”, - theksoi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
 
Zhvillimi teknologjik tashmë është pjesë e pandashme e funksionimit të institucioneve, por njëkohësisht kërkon edhe mekanizma të rinj sigurie dhe mbrojtjeje, u tha në konferencën “Security 2030”.
 
Ndërsa institucionet synojnë të përdorin inteligjencën artificiale dhe teknologjitë digjitale për të përmirësuar shërbimet dhe punën e tyre, sfida mbetet që ky zhvillim të shoqërohet me mbrojtje më të madhe të sistemeve, të të dhënave dhe privatësisë së qytetarëve.
 
FARIJE DAUTI BAKIU