Botë

Sulme të reja në Ukrainë, Kievi dhe ShBA-ja për negociatat

25.09.2026 17:35

Viktima dhe të plagosur nga sulmet ruse gjatë natës ndaj Kievit...

Viktima dhe të plagosur nga sulmet ruse gjatë natës ndaj Kievit, Odesës dhe Zaporizhias. Është dëmtuar edhe një objekt mjekësor. Forcat ukrainase goditën një rafineri ruse në rajonin e Rostovit. Ndërkohë, katër dronë kanë shkelur hapësirën ajrore të Moldavisë. Njëri prej tyre u rrëzua dhe shpërtheu pranë fshatit Cernica.
 
“Kjo nuk duhet të ndodhë. Nuk mund të hyjnë kështu, pa leje, në territorin tonë.”, - tha një banore e Moldavisë.
 
Incidenti në Moldavi shton shqetësimet për përhapjen e tensioneve përtej kufijve të Ukrainës. Franca paralajmëroi se Evropa mund të përballet me rrezik të shtuar dhe propozoi ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe rafinerive.
 
“Rusia e konsideron Evropën si thellësi strategjike të Ukrainës, sepse evropianët i ndihmojnë ukrainasit dhe sepse ukrainasit godasin rafineritë dhe objektet e ndjeshme në Rusi, për të ndalur luftën. Në këtë mënyrë, Evropa mund të bëhet objektiv.”, - theksoi presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
 
Përballë përshkallëzimit në terren, diplomacia mbetet aktive. Pas takimit me presidentin amerikan Donald Trump, Volodymyr Zelensky tha se tashmë janë diskutuar hapat e ardhshëm dhe se Uashingtoni do të kontaktojë edhe Moskën.
 
“Do ta informojmë palën evropiane dhe do t’i diskutojmë këto detaje me ta. Amerikanët do të bisedojnë me palën ruse, ndërsa pas dhjetë ditësh do të rikthehemi me përgjigjen dhe rezultatet. Sa i përket takimit trepalësh, pala amerikane ka propozuar përgatitjen e tij në nivel teknik. Ne presim që ShBA-ja të propozojë një datë. Për vendin e takimit është sugjeruar Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndërkohë, ne duam edhe rihapjen e Detit të Zi dhe kemi propozuar një armëpushim reciprok, në mënyrë që mallrat, veçanërisht produktet bujqësore, të mund të transportohen pa pengesa.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
 
Ndërkohë, Ukraina po përgatitet për dimrin, me fokus te forcimi i mbrojtjes ajrore dhe sigurimi i raketave shtesë. Kievi paralajmëron edhe për mundësinë e sulmeve hibride ruse ndaj vendeve evropiane, ndërsa përpjekjet për një zgjidhje diplomatike vazhdojnë.
 
SARA KAJOLLI