VLEN: Forcojmë boshtin me diasporën e ShBA-në
26.09.2026 16:06
Mexhiti ka marrë pjesë në Galën e Këshillit për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, në Nju Jork...

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti ka marrë pjesë në Galën e Këshillit për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, në Nju Jork, ku ishin të pranishëm edhe personalitete të njohura amerikane, përfaqësues nga trojet shqiptare, si dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Mexhiti me këtë rast theksoi rëndësinë e një diaspore të organizuar dhe me përfaqësim të fuqishëm në institucionet amerikane.
“Takimi me Wesley Clark merr një simbolikë të veçantë për shqiptarët e Shkupit, pasi gjenerali amerikan është qytetar nderi i Komunës së Çairit. Në këtë drejtim, diaspora shqiptare në SHBA përfaqëson një potencial të madh – në biznes, diplomaci, profesion, akademi dhe jetë publike. Për VLEN-in, ky potencial duhet të shndërrohet në ura më të forta bashkëpunimi me institucionet amerikane dhe në mbështetje më të madhe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Shqipëri dhe rajon. Sepse, disa miqësi ndërtohen me diplomaci, disa të tjera vulosen nga historia, ndërsa miqësia e shqiptarëve me SHBA-në i ka të dyja. VLEN beson se ky partneritet me Amerikën nuk është vetëm pjesë e historisë së shqiptarëve, por edhe një investim në të ardhmen e tyre.”, thuhet në njoftimin e VLEN.
Rama: Thaçi u tradhtua nga Biden, ShBA mund të mos lejonte që kjo farsë të niste
Në Galën e Këshillit për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, në Nju Jork, ishte i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Në fjalimin e tij para të pranishmëve kryeministri Rama duke u ndalur te vendimi dënues i gjykatës special në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së tha se Joe Biden e ka tradhtuar Hashim Thaçin, ndërsa SHBA nuk bëri më të mirën për të!
“Më bën të vuaj mungesa e dikujt që ka qenë gjithmonë i ftuar edhe nën strehën e tij, ai nuk është sot këtu dhe nuk mund të jetë me ne këtu sepse ky vend e tradhtoi, sepse Joe Biden që e emërtoi Xhorxh Uashingtoni i Kosovës e tradhtoi. Edhe pse gjenerali Klark dhe disa miq amerikan bënë më të mirën, ky vend nuk e bëri më të mirën për Hashim Thaçin, Xhorxh Uashingtonin e Kosovës. Kjo nuk më bën të ndjehem mire dhe dua ta ndaj me ju dhe do të ndalem këtu sepse nuk dua të them më shumë. Askush nuk dua të më keqkuptojë sepse kur them tradhtuar, e kam fjalën për atë se ne jemi shumë të vegjël, edhe së bashku nuk jemi të mëdhenj, por ne kemi kremtuar e do të kremtojmë gjithmonë faktin që si shqiptarë me më të mëdhenjtë e më të fortët SHBA-të. Ndaj ndihem i tradhtuar sepse ky vend mund të kishte bërë më shumë, mbi të gjitha duke mos lejuar që kjo farsë të niste.”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Konjufca: Vendimi i speciales i pa drejtë
Edhe Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në Gala Mbrëmjen e Këshillit për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, në Nju Jork, me çrast ka theksuar se vendimi i shkallës së parë i Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së përbën një padrejtësi që shkon përtej fatit personal të të dënuarve dhe prek kauzën për çlirim dhe liri. Kjo padrejtësi duhet të korrigjohet dhe duhet të mbrohet legjitimiteti i luftës çlirimtare të UÇK-së dhe e drejta e popullit të Kosovës për çlirim nga shtypja, u shpreh Konjufca.
VLORA LATIFI TOPOJANI
