Mickoski fjalim në OKB: Në proceset integruese të vlejnë kriteret

26.09.2026 16:06

Mickoski ka mbajtur fjalim në sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara...

Kryeministri Hristijan Mickoski, ka mbajtur fjalim në sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në të cilin është përqendruar te çështja e integrimit evropian dhe organizatat ndërkombëtare, ku siç ka theksuar kryeministri procesi duhet të jetë i bazuar në kritere, e jo çështjet bilaterale të bëhen pengesë.
 
Nëse marrëveshjet zgjasin aq sa interesat janë të njejta. Për shtetet e vogla, kjo është një botë veçanërisht e rrezikshme, ka thënë mes tjerash kryeministri Mickoski i cili në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, zhvilloi edhe një takim me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. 
 
Në takim u theksua bashkëpunimi i mirë ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Maqedonisë së Veriut.
 
“Sot besimi në sistemin ndërkombëtar është I rrezikuar pikërisht sepse shumë njerëz me të drejtë kanë ndjenjën se rregullat nuk vlejnë në mënyrë të barabartë për të gjithë. Se ndonjëherë fuqisë i jepet përparësi përpara parimit. Se detyrimet e ndërmarra janë kusht. Se marrëveshjet zgjasin aq sa interesat janë të njëjta. Për shtetet e vogla, kjo është një botë veçanërisht e rrezikshme. Dhe, pa dashur të tringëlloj si dikush që jep mësime, nëse dikush dëshiron të shohë një shembull të një vendi që shumë herë ka hequr dorë nga diçka që natyrshëm i takon si një e drejtë themelore – diçka që shumëkush e merr si të mirëqenë – mjafton të shikojë historinë më të re të kombit tim. Një histori e shënuar nga sfida, nga rreziqe të sigurisë me përmasa rajonale, nga kompromise dhe lëshime të vazhdueshme të bëra në emër të paqes, bashkëpunimit dhe synimeve më të larta të integrimit – shpesh me çmimin e ndjenjës sonë më themelore për dinjitetin dhe drejtësinë. Kemi marrë vendime vërtet të vështira. Kemi vazhduar përpara edhe atëherë kur proceset kanë zgjatur më shumë sesa një gjeneratë qytetarësh mund të priste në mënyrë të arsyeshme. Por pikërisht për këtë arsye, duke i parë ato vendime me distancë kohore dhe me vetëdije të qartë për realitetin, sot mund të them me përgjegjësi se besimi nuk mund të jetë pafundësisht një detyrim i njëanshëm. Nëse nga shtetet e vogla pritet që t'i respektojnë rregullat, atëherë rregullat duhet t'u sigurojnë edhe atyre parashikueshmëri. Nëse nga kandidatët për anëtarësim në një organizatë kërkohet të përmbushin kritere të caktuara, atëherë përmbushja e këtyre kritereve duhet të çojë drejt përparimit. Nëse nga qytetarët kërkojmë t'u besojnë institucioneve, atëherë institucionet duhet të tregojnë se fjala e tyre ka vlerë dhe se detyrimet e ndërmarra janë të qëndrueshme. Rregulli që vlen sot nuk mund të jetë ndryshe nesër vetëm sepse ka ndryshuar raporti i forcave. Dhe një detyrim i ndërmarrë nuk mund të jetë një leverdi e përkohshme politike. Ai duhet të jetë bazë mbi të cilën njerëzit do të mund ta planifikojnë të ardhmen e tyre. Nga qytetarët tanë kërkojmë të besojnë në bashkëpunimin, në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, në kompromisin dhe në respektin e ndërsjellë. U themi se paqja e qëndrueshme vlen më shumë se një fitore politike afatshkurtër, se respektimi i marrëveshjeve është shenjë e forcës dhe mençurisë, se kjo është rruga e drejtë dhe jo shenjë dobësie, se integrimi evropian dhe euroatlantik nënkupton pranimin e rregullave që vlejnë njësoj për të gjithë. Por ky argument bëhet shumë më i vështirë për t'u mbrojtur kur qytetarët shohin se në marrëdhëniet ndërkombëtare parimi ndonjëherë i lë vendin fuqisë, se kriteret mund të ndryshojnë ndërkohë që procesi tashmë ka filluar, ose se nga disa pritet konsistencë të cilën të tjerët nuk ia kërkojnë gjithmonë vetes.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.