Maqedoni

Mickoski: BE ta ndërmjetësojë dialogun me Bullgarinë

27.09.2026 11:29

Maqedonia kërkon që në bisedimet me Bullgarinë të kyçet edhe BE-ja...

Maqedonia kërkon që në bisedimet me Bullgarinë të kyçet edhe BE-ja, që autoritetet në Bruksel ti dëgjojnë argumentet e të dyja palëve, sepse deri më tani sipas kryeministrit Mickoski kanë ndodhur takime vetëm sa për të thënë se kanë ndodhur takime. Kryeministri për servisin publik tha se këtë qëndrim e bazon në atë se edhe pas takimeve të presidentes Sinjanovska Davkova edhe pas atyre të ministrit të jashtëm Mucunski me autoritetet Bullgare, janë dhënë deklarata të ndryshme për atë se çka është biseduar. 
 
“Ideja jonë kur themi të përfshihet edhe BE-ja ka për qëllim që ti dëgjojnë edhe argumentet tona, edhe argumentet e palës tjetër. Unë e di shqetësimin e Sofjes zyrtare. Ata thonë se nëse ulemi në prezencë të partnerit të tretë ajo do të thotë se me të vërtetë kemi kontest dypalësh dhe me të vërtetë ne kemi kontest dypalësh, i cili tani është në fillimin e tij. Meqë është në fillim ne duhet të zhvillojmë dialog dhe pikërisht për këtë na nevojiten përfaqësues të organizatave multilaterale në këtë rast BE-ja, që ti dëgjojë argumentet. Nëse argumentet e bashkëbiseduesit tanë i mposhtin argumentet tona, ne do të themi në rregull ju jeni në të drejtë ne kemi gabuar. Por është mire të dëgjohen. Ata nuk do të dëshirojnë, tërë kohën do të thonë para Brukselit zyrtarë se kemi realizuar bisedime, por para se të ndodhë gjithçka ata duhet ta ndryshojnë kushtetutën. Ky është qëndrimi i tyre. Ndërsa qëndrimi ynë është se nuk mund të futemi në çfarëdo aventure, pa e ditur se fundi është i qasshëm dhe e shohim qartë fundin. Nuk do të dëshironim të futemi në proces i cili në kontinuitet do të zhvendosej. Do të jem i drejtpërdrejtë edhe nëse nesër i fillojmë bisedimet, çdo kapitull, çdo klaster për tu mbyllur do të duhet të votohet në parlamentet e tyre nacionale të vendeve të BE-së. Kjo nënkupton të paktën 80 herë mundësi që ne të marrim kërkesa të reja.”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Mickoski: Në Ballkan po rikthehen temat e viteve 90-ta 
 
Mickoski thotë se në një proces të tillë nuk ka ndërmend të futet. Duke u ndalur te takimi me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ku morën pjesë përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Mickoski tha se gjatë diskutimeve ka krijuar përshtypjen se po rikthehen temat e viteve të ’90-ta.
 
“Arsye për atë tension mes Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Serbisë  ishte varrimi i Ratko Mlladiqit, ndërsa mospajtimet konstante ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishin po ashtu në tavolinë dhe çështja e personave që njëra palë i konsideron organizatorë të sulmit në Banjskë. Por e gjithë kjo nuk më befason, por më befason fakti se si një çështje mund ta ndezë të gjithë rajonin. Ndoshta në dukje nuk është aq e madhe dhe nuk duket e tillë nga këndvështrimi ynë si Maqedoni, por qartësisht një çështje në dukje e thjeshtë mund të shkaktojë tensione serioze në shoqëri. Këto tensione mund të shndërrohen në konflikt. Nuk e pres këtë, por kjo ishte ndjenja ime dhe isha i shqetësuar.”, u shpreh kryeministri Mickoski.
 
Mickoski: Nga BE nevojiten rezultate të shpejta 
 
Pikërisht për këtë arsye, Mickoski i është drejtuar përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Kaja Kallas, me kërkesën se rajonit i nevojiten “rezultate të shpejta” nga Bashkimi Evropian.
 
“Unë personalisht jam i shqetësuar për atë që dëgjoj sot në tryezë dhe na duhen rezultate të shpejta nga Bashkimi Evropian. Diçka që mund të realizohet shpejt, në mënyrë që frustrimi që ndjejnë qytetarët në rajon të fillojë gradualisht të ulet.”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Sa i përket dokumentit që presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet ta prezantojë në Bruksel për zhbllokimin dhe riorganizimin e proceseve të caktuara në BE, Mickoski tha se nëse BE-ja dëshiron të bëjë një hap përpara, paralajmërimet duhet të shndërrohen në masa konkrete dhe të shpejtë.
 
NAIM SINANI