Maqedoni
Kumanovë, hapet Qendra e Kurseve falas për fëmijë “MOTIVI”
27.09.2026 14:06
Në qytetin e Kumanovës u hap Qendra e Kurseve “MOTIVI”, e cila synon t’u ofrojë fëmijëve mbështetje edukative dhe mundësi për zhvillim...

Në qytetin e Kumanovës u hap Qendra e Kurseve “MOTIVI”, e cila synon t’u ofrojë fëmijëve mbështetje edukative dhe mundësi për zhvillim, përmes kurseve dhe aktiviteteve të ndryshme. Qendra u dedikohet nxënësve të shkollës fillore dhe ofron kurse dhe mbështetje pa pagesë. Në kuadër të programit parashikohen orë të mësimit plotësues për ciklin e ulët, ndihmë në kryerjen e detyrave të shtëpisë, si dhe kurse në matematikë, art figurativ, gjuhë angleze dhe gjuhë maqedonase. Kjo iniciativë është bërë e mundur falë donacionit të Fondacionit “The Little Bits of Good Foundation”, me seli në Kanada, në bordin e të cilit bëjnë pjesë edhe veprimtarë nga diaspora shqiptare.
“Ndjehem i lumtur që jam pjesë e këtij rrugëtimi të përbashkët, kursi Motivi ka filluar në vitin 2019 në Shkup, është një ide e vëllaut, bashkatdhetarit tonë Ismetit nga Kanadaja i cili i lindur e i rritur në Shkup e që emigroi për një jetë më të mirë për të dhe familjen e tij por ja që bereqeti i asaj jete të mirë po na prekë edhe neve të gjithëve këtu sepse me punën e tij me financimin e tij dhe me përpjekjet e tij që po bën realisht edhe ne po shohim shumë dobi.”, theksoi mes tjerash Zenun Ismaili, anëtari i bordit të Fondacionit “The Little Bits of Good Foundation”me seli në Kanada.
“Jam shumë e lumtur që jam në mesin tuaj sonte, kam një raport special me qytetin e Kumanovës, dhe sa i përket qendrës së kurseve, kjo në Kumanovë është e katërta me radhë që po hapim, pas atyre tre që i kemi hapur më herët në Shkup. Fondacioni “The Little Bits of Good Foundation” me seli në Kanada në Montreal, mirëpo fushëveprimi ynë është kryesisht në RMV gjegjësisht në Shkup dhe Kumanovë.”, shtoi para të pranishmëve drejtuesja e Fondacionit “The Little Bits of Good Foundation”me seli në Kanada.
“Gjithsesi një kurs i tillë do të jetë një ndihmesë e madhe për fëmijët duke pat parasysh se për momentin mësohet në dy turne e duke pat parasysh se ka shumë pak hapësirë për orë plotësuese për aktivitete jashtë mësimore, e duke pat parasysh ngarkesë me të cilën ballafaqohen fëmijët, padyshim se një organizim i këtillë i kurseve do të jetë një ndihmë shumë e madhe për ta dhe me çka i përgëzoj të gjithë ata që janë organizatorë dhe iniciator të formimit të këtij kursi dhe jam i sigurt që do të jetë gjithsesi në përfitimin më të madh të fëmijëve.”, tha para nxënësve dhe mysafirëve të shumtë, Driton Sulejmani, Ministër i MASH në RMV.
Përveç mësimit, në Qendrën “MOTIVI” do të zhvillohen edhe aktivitete të tjera edukative, me synim krijimin e një mjedisi të sigurt dhe motivues për fëmijët.
Sipas organizatorëve, qëllimi i qendrës është që fëmijëve t’u ofrohet mbështetje shtesë në procesin mësimor, si dhe hapësirë për të zhvilluar njohuritë dhe talentet e tyre.
FATLUM AQIFI
