Ekonomi
Filloi sezoni i turshive, qytetarët ankohen për çmimet e larta
27.09.2026 15:52
Me ardhjen e vjeshtës fillon edhe sezoni i turshive...

Me ardhjen e vjeshtës fillon edhe sezoni i turshive. Por si janë aktualisht çmimet e perimeve në treg, a janë ato të kapshme për xhepin e qytetarëve?
Disa nga qytetarët e anketuar në tregun e Bit Pazarit thonë që me gjithë dëshirën e tyre të madhe për të përgatitur vet turshitë në shtëpitë e tyre ata nuk kanë mundësi financiare pasi që çmimet janë rritur edhe më shumë se viteve të kaluara.
Qytetarët thonë se për shkak të çmimeve të larta, janë të detyruar që këtë vit të përgatisin më pak turshi se sa vitin e kaluar.
“Në sezonin e turshive ne blemë turshi ,na duken shtrenjtë si çdoherë, çmimet po rriten çdo dit më lartë, ndërsa rrogat po mbesin njëjtë këtu është problem, vitin e kaluar morëm më shumë gjëra këtë vit më pak se nuk na dalin mi marr të gjitha.”, u shpreh një qytetar.
“Më shtrenjtë për momentin janë domatet, specat e kuq normal ata më të mirë janë më shtrenjtë, disa që janë më të dobët më lire. (A jeni përgatitur për sezonin e turshive?) Jo asgjë ende, më vonë do të vendosim për momentin jo.”, tha një qytetar.
“Ende s’kemi filluar por çmimet janë shumë të shtrenjta…me këto çmime nuk jemi të kënaqur kurrsesi.”, u shpreh një qytetar.
Tregtarët ankohen për rënien e shitjes
Nga ana tjetër tregëtarët ankohen se shitja është e ulët, edhe pse sipas tyre çmimet nuk janë edhe aq të larta.
“Sa i përket shitjes jemi më dobët nuk kemi aq, njerëzit nuk është se nuk kanë interesim për turshi. Çmimet nuk janë edhe shumë të larta. (Si i keni çmimet?). Kastraveci ka rënë 50 denarë i vogli, specat sipas cilësisë që e kanë, kemi 80 denarë, 100 denarë, 120 denarë, 150 denarë. Vitin e kaluar kemi pasur më shumë shitje dhe ka qenë më mirë se këtë vit, popullata nuk ka aq kanë dëshirë të marrin por s’munden.”, u shpreh një tregtare.
“Dobët është pak por lëviz nga pak. Rrushin e kemi 70 denarë, specat janë 60 ose 70 denarë.”, tha një tregtar.
“Blejnë nga pak po jo shumë se tash nuk bëjnë turshi i blejnë të gatshme marrin 1ose 2kilogram. (Pse mendoni se i blejnë?) I blejnë se ka punë kjo, ajvari ka punë kështu i merr të gatshme nuk mundohesh hiq, pastaj këto të rejat nuk dinë as ta përgatisin.”, u shpreh një tregtar.
Megjithatë tregtarët e Bit Pazarit thonë se ky treg ka çmimet më të lira se tregjet tjera të kryeqendrës, ndërsa theksojnë se çmimet në tregjet me pakicë varen nga çmimet e furnizimit në tregun me shumicë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
