Maqedoni

VLEN reagon ndaj BDI-së: Po keqpërdorni protestën në mbrojtje të UÇK-së

27.09.2026 16:10

VLEN e ka akuzuar BDI-në se po tenton të fitojë pikë të ulëta politike...

VLEN e ka akuzuar BDI-në se po tenton të fitojë pikë të ulëta politike, duke e keqpërdorur protestat në mbështetje të ish krerëve të UÇK-së. 
 
“Shqiptarët i njohin si paranë e kuqe. E dinë se nuk kanë lënë gjë pa keqpërdorur. Edhe të ashtuquajturin marsh, alla BDI, mundohen ta paketojnë e ta shesin si “mbipartiak”. Nëse vërtet duan të protestojnë për ish-krerët e UÇK-së, atëherë protesta do të duhej të ishte pikërisht ndaj BDI-së dhe rolit të kryetarit të saj, Ali Ahmeti. UÇK-ja nuk është pronë e BDI-së dhe nuk mund të përdoret si alibi për t’ia larë mëkatet”. 
 
Nga VLEN theksojnë se në vend të thirrjes për protestë, nga lobistët për themelimin e Gjykatës Speciale sot kërkohen përgjigje publike.
 
  • “1. Cili ishte pazari i ofruar në këmbim të mbështetjes së themelimit të Gjykatës Speciale?
  • 2. Çfarë përmban dosja e Dhomave të Specializuara në Hagë që lidhet me dëshminë e Ali Ahmetit?
  • 3. A kanë një emërues të përbashkët Dhomat e Specializuara dhe “Ballkani i Hapur”?
  • 4. Përse Ali Ahmeti e rikualifikoi rolin e tij në procesin përpara Speciales, herë duke thënë se ishte dëshmitar, e herë duke thënë se nuk ishte dëshmitar në proces?
  • 5. A ka shërbyer dëshmia e Ali Ahmetit si bazë për të ngritur aktakuzën kundër udhëheqësisë së UÇK-së nga ana e Gjykatës Speciale në Hagë?
Këto dhe shumë pyetje të tjera vazhdojnë të rëndojnë mbi supet e atyre që nuk kanë lënë gjë pa keqpërdorur.”, theksojnë nga Vlen, duke shtuar se zhgënjimin për aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit e ndajnë dhe e ndjejnë. 
 
“Pavarësisht aktgjykimit, një gjë nuk ndryshon. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë dhe çlirimtare kundër një regjimi që vrau, dëboi dhe përndoqi popullin e Kosovës. Këtë të vërtetë e di Kosova, e dinë shqiptarët dhe e di edhe bashkësia ndërkombëtare që ndërhyri për ta ndalur regjimin e Millosheviqit.”, theksojnë nga VLEN.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI