Rajon

Rama: Rasti i Vlora Hysenit, çështje e drejtësisë

27.09.2026 16:46

Rama tha se nuk do të komentojë përmbajtjen e dosjes apo provat e çështjes...

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama me tu kthyer nga Nju Jorku nga aeroporti “Nënë Tereza” në Tiranë, iu drejtua opinionit. Duke u ndalur te hetimi ndaj ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hysenit, Rama tha se nuk do të komentojë përmbajtjen e dosjes apo provat e çështjes, pasi çdo akuzë duhet të provohet ose rrëzohet përmes një procesi të pavarur gjyqësor. Sipas Ramës, hetimi dhe gjykimi i ish-drejtueses së SHISH janë çështje ekskluzive të drejtësisë.
 
“Hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit është detyrë ekskluzive e drejtësisë, kjo nuk ka diskutim. Mbrojtja e SHISH nga çdo dëm kolateral të mundshëm është detyrë e gjithë shtetit dhe kjo s’duhet të hapë asnjë diskutim. Ndarja e pushteteve s’mund të shihet si ndarje nga përgjegjësia shtetërore. Ka ardhur koha ta trajtojmë bashkërisht dhe seriozisht. Këshilli i Sigurisë, thirrur njëherësh nga Presidenti, është vendi i duhur për të reflektuar dhe diskutuar mbi garancitë që duhet t’i mbrojnë institucionet tona, kur drejtuesit apo punonjësit rrëshqasin nga binarët dhe bëhen subjekt i një hetimi penal. Kur doli masa e arrestit, kam vlerësuar punën e Vlora Hysenit. Vlerësimi për punën e saj ka qenë i qartë. E vërteta është e thjeshtë. Fillimisht ka nisur të punojë prej meje si këshilltare, pas një periudhe të shkurtër në atë rol dhe, bazuar në referencat e partnerëve, është emëruar drejtuese e SHISH.”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.