Botë

Zviceranët refuzojnë neutralitetin më të rreptë, ruhet bashkëpunimi me NATO-n

27.09.2026 18:26

Zviceranët kanë refuzuar qartësisht propozimin për forcimin e rregullave të neutralitetit...

Zviceranët kanë refuzuar qartësisht propozimin për forcimin e rregullave të neutralitetit, i cili do të kufizonte ndjeshëm mundësinë e vendit për të bashkëpunuar me NATO-n dhe për të vendosur sanksione ekonomike.
 
Sipas projeksioneve të para, rreth 71 për qind e votuesve votuan kundër nismës, duke e rrëzuar propozimin që synonte të përcaktonte në Kushtetutë një neutralitet ‘të përhershëm dhe të armatosur’ me rregulla shumë më të ngurta.
 
Nisma parashikonte që Zvicra të mos mund të anëtarësohej apo të bashkëpunonte me aleanca ushtarake dhe mbrojtëse, përveç rasteve kur vendi do të sulmohej ose përballej me një sulm të drejtpërdrejtë. Gjithashtu, sanksionet ekonomike do të mund të miratoheshin vetëm nëse ishin vendosur nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
 
Kjo do të kishte kufizuar edhe bashkëpunimin aktual të Zvicrës me NATO-n dhe partnerët evropianë në çështjet e sigurisë, transmeton Telegrafi.
 
Neutraliteti i Zvicrës është i njohur ndërkombëtarisht që nga viti 1815, ndërsa kuadri aktual i lejon Bernës të bashkëpunojë me shtete të tjera për sigurinë dhe të marrë sanksione ndërkombëtare.
 
Nisma ishte mbështetur nga Partia Popullore Zvicerane (SVP) dhe ishte paraqitur si një përpjekje për rikthimin e një neutraliteti më strikt, veçanërisht pas vendimit të Zvicrës për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.