Maqedoni

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë iu bashkua Ditës së 20-të Botërore kundër Tërbimit

28.09.2026 11:05

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë këtë vit iu bashkua shënimit të Ditës së 20-të Botërore kundër Tërbimit – 28 Shtatorit....

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë këtë vit iu bashkua shënimit të Ditës së 20-të Botërore kundër Tërbimit – 28 Shtatorit. Motoja e sivjetme, “Së bashku më të fortë”, pasqyron rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet sektorëve, disiplinave dhe komuniteteve në përpjekjet për eliminimin e tërbimit.
 
Sipas Agjencisë, çdo nëntë minuta tërbimi merr një jetë, edhe pse vdekjet nga kjo sëmundje mund të parandalohen plotësisht. Bashkëpunimi mund të zgjerojë vaksinimin e qenve, të përmirësojë sistemet e mbikëqyrjes dhe raportimit, të rrisë ndërgjegjësimin e publikut dhe të forcojë politikat për mbrojtjen e njerëzve dhe kafshëve.
 
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ndërmerr vazhdimisht aktivitete për kontrollin dhe ruajtjen e gjendjes së favorshme epidemiologjike sa i përket tërbimit. Rritja e numrit të kafshëve shtëpiake të identifikuara, regjistruara dhe vaksinuara kundër tërbimit është një nga masat që po zbatohen dhe njëkohësisht bazë për kontrollin e popullatës së kafshëve endacake.
 
Agjencia u bën thirrje pronarëve të qenve dhe maceve për pronësi të përgjegjshme, vaksinim të rregullt dhe të detyrueshëm vjetor kundër tërbimit dhe mikroçipimin e kafshëve shtëpiake.
 
Për herë të parë pas një ndërprerjeje trevjeçare, në vitin 2025 Agjencia rifilloi fushatën për vaksinimin oral të dhelprave, me qëllim përmirësimin e gjendjes epidemiologjike te popullata e kafshëve të egra. Këtë vit, shpërndarja nga ajri e 450.000 karremave me vaksinë filloi më 23 shtator dhe pritet të përfundojë deri më 2 tetor. Më pas, brenda 15 ditësh, do të fillojë marrja e mostrave për të kontrolluar suksesin e vaksinimit.
 
Në vijim është edhe fushata “Stop tërbimit – raporto dhe parandalo”, që synon rritjen e mbikëqyrjes pasive dhe kontrollin e pranisë së mundshme të virusit te kafshët e ngordhura të ndjeshme ndaj sëmundjes.
 
Agjencia u bën thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të automjeteve që, nëse vërejnë një dhelpër apo kafshë tjetër të egër mishngrënëse të ngordhur, ta raportojnë rastin në numrin pa pagesë 0800 00 210 ose në zyrat e njësive rajonale të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.