Maqedoni
Shengeni dhe shoferët profesionistë, FIO për mekanizëm paralel me vizat dypalëshe
28.09.2026 14:14
Status i veçantë për shoferët profesionistë dhe përjashtimi i tyre nga kufizimet e Shengenit...

Status i veçantë për shoferët profesionistë dhe përjashtimi i tyre nga kufizimet e Shengenit që vlejnë për turistët është propozimi i Odës Ekonomike për zgjidhjen e problemit me transportuesit. Koordinatori për bashkëpunim ndërkombëtar në Odën Ekonomike, Daniel Matrakojski, thotë se një propozim i tillë do të paraqiste një mekanizëm paralel ndaj vizave dypalëshe.
“Përmes Forumit Investues të Odave dhe takimeve të punës me Komisionin Evropian, në takimin e platformës së biznesit të FIO-së do të kemi një përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian. Atje kërkojmë një status të veçantë, që nënkupton përjashtim për shoferët profesionistë si punëtorë ekonomikë mobilë me interes jetik, që do të ishte paralel me përdorimin e mekanizmave dypalëshe, përkatësisht vizave afatgjata të tipit D me vendet anëtare. Ne ofrojmë një mekanizëm paralel me vizat dypalëshe. Kjo është ajo për të cilën angazhohet FIO-ja.”, - deklaroi koordinatori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Daniel Matrakojski.
Kjo nuk është çështje migracioni, por çështje e mbijetesës së zinxhirëve evropianë të furnizimit, vlerësojnë përfaqësuesit e Odës Ekonomike. Pikërisht për këtë arsye, barrierat dhe problemet e transportuesve të mallrave do të jenë në fokus të takimit të ardhshëm të ministrave të ekonomisë të rajonit, të mërkurën në Cetinë.
“Azeski për momentin është kryetar i FIO-së. Në fokus ai i ka kërkesat që komuniteti i biznesit i përfaqëson në mënyrë të vazhdueshme, heqja e barrierave administrative në tregti, tejkalimi i ngecjeve në qarkullimin e mallrave përmes zgjerimit të korridoreve të gjelbra, harmonizimi i plotë i ndërsjellë dhe njohja e dokumentacionit tregtar dhe fitosanitar, si dhe afrimi gradual dhe i përshpejtuar i kompanive tona me tregun e vetëm evropian përmes instrumenteve të Planit të Rritjes. Gjithashtu edhe një herë theksojmë nevojën për lehtësimin e procedurave të reja ndërkufitare, me qëllim që ato të mos shndërrohen në barrë shtesë financiare dhe operative për veprimtarinë e përditshme të kompanive tona.”, - theksoi koordinatori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Daniel Matrakojski.
Nikoqir i takimit të ministrave të ekonomisë të mërkurën në Cetinë është zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë i Malit të Zi, Nik Gjelloshaj. Në kuadër të aktiviteteve që lidhen me kryesimin e Malit të Zi me Procesin e Berlinit, njëherësh në vend do të mbahet edhe konferenca e 15-të ndërkombëtare e specializuar “Lidhja ekonomike për rritje më të fuqishme dhe integrim evropian”, nikoqire e së cilës është Oda Ekonomike e Malit të Zi. Menjëherë, pas takimit të ministrave të Ekonomisë, në Budva do të mbahet edhe takimi i platformës së biznesit BE-Ballkani Perëndimor. Në këtë platformë do të mblidhen drejtuesit e odave ekonomike të rajonit.
REXHEP QAMILI
