Maqedoni
Kuvend, konferencë rajonale për femicid
28.09.2026 15:15
Më shumë se 50.000 gra dhe vajza vriten çdo vit nga një partner intim ose një anëtar tjetër i familjes...

Më shumë se 50.000 gra dhe vajza vriten çdo vit nga një partner intim ose një anëtar tjetër i familjes, u theksua në konferencën rajonale mbi femicidin në Evropën Juglindore, e cila filloi sot në Parlament. Kjo Konferencë po ashtu përçoi edhe një mesazh se femicidi nuk duhet të trajtohet si një problem i izoluar ose privat familjar, por si pika përfundimtare e një dhune afatgjatë me bazë gjinore që shpesh është injoruar ose nuk është njohur mjaftueshëm. Nënkryetarja e Parlamentit, Vesna Bendevska, vlerësoi se ka pasur përparim në kuadrin ligjor në rajon, por problemet me përkufizime të ndryshme, të dhëna të fragmentuara dhe zbatim të pabarabartë të ligjeve mbeten.
“Si shoqëri jemi përgjegjës për shmangien e përgjegjësisë qoftë në planin individual, qoftë atë të përgjithshëm. Kjo është një fotografi e zezë e një shoqërie moderne të shekullit 21, për këtë shkak Femicidi është reflektimi më ekstrem në diskriminimin bazik gjinor, atë të vlerave patriarkale, i sistemit dhe i mossuksesit institucional të një shoqërie. Asnjë rast i femicidit nuk mund të jetë rast i izoluar apo një problem familjar, por është një rezultat përfundimtar, është një reflektim i vazhdueshëm bazik gjinor, të cilën shoqëria e injoron apo e relativizon, dhe nuk ia del që me kohë ta parandalojë.”, - deklaroi nënkryetarja e Parlamentit, Vesna Bendevska.
Sipas të dhënave të paraqitura në këtë ngjarje, në vitin 2024, në nivel global u regjistruan 83.000 gra dhe vajza të vrara, nga të cilat rreth 50.000 u vranë nga një partner ose anëtar i familjes. Kjo është një mesatare prej 137 grash dhe vajzash në ditë.
“Sipas të dhënave zyrtare të Kombeve të Bashkuara, çdo vit më shumë se 50 mijë gra dhe vajza në të gjithë botën janë vrarë nga një partner ose anëtar i familjes. Këto shifra mjaftueshëm tregojnë në faktin se mekanizmat e prevenimit, të cilat i kemi, nuk janë të mjaftueshme.”, - theksoi sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Feridun H. Sinirlioglu.
“92 raste kanë qenë të rishikuara, nga të cilat 43 janë klasifikuar si femicid, ose tentim për femicid, dhe për momentin po parashihen mundësi për ndryshimin politikave dhe metodave të prevenimit dhe të përgjegjësisë së institucioneve.”, - u shpreh shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Uahl.
Konferenca vuri në dukje se Maqedonia ka forcuar qasjen e saj ligjore ndaj dhunës me bazë gjinore në vitet e fundit, duke përfshirë edhe përmes ndryshimeve në Kodin Penal në vitin 2023. Dy ditët e ardhshme do të debatohen përgjigjet legjislative ndaj femicidit, mbikëqyrja parlamentare dhe mekanizmat për monitorimin e femicidit.
FITIM KRYEZIU
