Rajon
Këshilli i Sigurimit për ShISh
28.09.2026 15:37
Për më shumë se 90 minuta presidenti Bajram Begaj mblodhi Këshillin e Sigurimit Kombëtar...

Për më shumë se 90 minuta presidenti Bajram Begaj mblodhi Këshillin e Sigurimit Kombëtar për të diskutuar pas hetimeve të drejtësisë për ish-drejtuesen e ShISh-it, Vlora Hyseni. Në takim për herë të parë kryeministri Rama u ul përballë kreut të SPAK-ut, Klodian Brahos, për këtë çështje. Presidenca thotë se u nënvizua që hetimet e drejtësisë, duhet të respektohen, por nuk duhet të cenojnë besimin te shteti e institucionet.
“Për sigurinë kombëtare, institucionet nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin. Ato kanë përgjegjësi të ndryshme, por i shërbejnë të njëjtit interes: sigurisë së Republikës së Shqipërisë. Çdo mosbesim institucional të zëvendësohet me bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional.”, - thanë nga Këshilli i Sigurimit Kombëtar.
Konkluzionet e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, duken në të njëjtën gjatësi vale me shqetësimet e shprehura nga kryeministri për ekspozimin e institucionit ndaj një dëmi të mundshëm.
“Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë. Institucionet t’u tregojnë qytetarëve se sistemi di të korrigjojë vetveten e të mbrojë interesin publik. Detyra jonë është të forcojmë standardet, kontrollin, transparencën, llogaridhënien dhe bashkëpunimin institucional.”, - thanë nga Këshilli i Sigurimit Kombëtar.
E hapur është edhe çështja e zgjedhjes së kreut të ri të ShISh-it për të cilën Rama ka deklaruar se do të bëhet në konsultim me presidentin, me propozim të tij e dekretit të kreut të shtetit, por kjo ndodh vetëm pas verifikimeve nga institucionet dhe me bekimin e ndërkombëtarëve.
LULJETA NDOKA
