Dënimi i krerëve të UÇK-së, Kuvendi i Kosovës miratoi deklaratën kundër
28.09.2026 18:09
Kuvendi shpreh shqetësimin e thellë për aktgjykimin e shkallës së par....

Kuvendi i Kosovës miratoi deklaratën lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Përmes kësaj deklarate, Kuvendi shpreh shqetësimin e thellë për aktgjykimin e shkallës së parë, duke e konsideruar të papranueshëm konstatimin për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal.
“Duke e kujtuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë fryt i një përpjekjeje të gjatë për dinjitet njerëzor, barazi dhe të drejtën e një populli për të vendosur vetë për të ardhmen e tij, duke rikujtuar se lufta e popullit për liri dhe pavarësi përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës lindi në rrethana të represionit sistematik dhe krimeve gjenocidale të Serbisë, kur popullit të Kosovës po i mohoheshin të drejtat themelore dhe vetë mundësia për të jetuar i lirë në vendin e tij; duke njohur rëndësinë vendimtare të ndërhyrjes së NATO-s për ndalimin e dhunës ndaj popullit të Kosovës dhe çlirimit të vendit; duke theksuar se asnjë aktgjykim nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë, Serbia ushtroi gjenocid e krime kundër njerëzimit, zhvilloi një fushatë të egër terrori dhe spastrimi etnik në Kosovë, masakroi civilë të pafajshëm, vrau fëmijë, gra e të moshuar, dhunë seksuale si armë lufte, dëboi me forcë popullsinë e dogji dhe shkatërroi fshatra e qytete të tëra. Këto krime ishin sistematike, pasojat e të cilave rëndojnë edhe sot mbi mijëra familje në Kosovë. I bindur se respektimi i shtetit të së drejtës përfshin edhe të drejtën dhe përgjegjësinë për të kundërshtuar me mjete ligjore dhe institucionale një aktgjykim që vlerësohet i padrejtë, liria dhe pavarësia e Kosovës janë të lidhura ngushtë me sakrificën e brezave, me rezistencën politike dhe paqësore të udhëhequr nga presidenti Ibrahim Rugova, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me mbështetjen vendimtare të aleatëve tanë perëndimorë, përfshirë NATO-n.”, - deklaroi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Deklarata u përpilua në koordinimin mes përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës.
GYLTENE SINANI
