Botë

BE-ja forcon mbështetjen për Ukrainën, Rusia paralajmëron kosto të reja

28.09.2026 15:50

Derisa Rusia vazhdon sulmet në Ukrainë, në Bruksel u mblodhën ministrat e mbrojtjes të BE-së....

Derisa Rusia vazhdon sulmet në Ukrainë, në Bruksel u mblodhën ministrat e mbrojtjes të BE-së. Takimi u përqendrua kryesisht te mbështetja për Ukrainën, sidomos mbështetja ajrore, tha shefja e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, Kaja Kallas. Ajo u bëri thirrje vendeve që kanë raketa Patriot në rezerva t’ia dorëzojnë ato Ukrainës, ndërsa rezervat e tyre të plotësohen më vonë me raketa të reja.
 
“Mbrojtja ajrore mbetet prioriteti kryesor për Ukrainën. Ne i shohim sulmet çdo ditë. Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Khmara, e bëri këtë shumë të qartë sërish. Ne kemi miratuar tashmë plane prokurimi në vlerën e 28.3 miliardë eurove në kuadër të Huadhënies për Mbështetjen e Ukrainës, të cilat përfshijnë edhe blerjen e raketave Patriot nga prodhimi i ardhshëm në ShBA. Megjithatë, prodhimi i raketave kërkon kohë, ndërsa Kievi ka nevojë për Patriotët tani.”, - deklaroi shefja e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, Kaja Kallas.
 
Nga ana tjetër, Kremlini zyrtar tha të hënën se Ukraina duhet të paguajë çmimin e veprimeve që ka ndërmarrë muajve të fundit, duke iu referuar sulmeve në territorin rus. 
 
“Ukraina do të duhet të paguajë çmimin për veprimet që kanë ndodhur gjatë muajve të fundit. Pikërisht kjo është ajo që po ndodh tani. Forcat tona të armatosura po vazhdojnë operacionin special ushtarak, duke goditur në mënyrë të vazhdueshme objektivat që i konsiderojnë të përshtatshme. Interesat kombëtare të Federatës Ruse janë të njohur për të gjithë.”, - theksoi zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, Dmitry Peskov.
 
Zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, Dmitry Peskov, tha se forcat ruse do të vazhdojnë operacionet ushtarake për të siguruar, sipas tij, interesat kombëtare të Rusisë, ndërsa nga ana tjetër, Kallas theksoi nevojën për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes së Evropës. Ajo tha se BE-ja do të shtojë përpjekjet për të kufizuar aftësinë e Rusisë për të financuar luftën, përfshirë masat ndaj flotës së saj hije, ndërsa dënoi vazhdimin e akteve të sabotazhit, zjarrvënieve dhe shkeljeve të hapësirës ajrore.
 
SARA KAJOLLI