Maqedoni
Integrimi në BE, Siljanovska nga Salzburgu: Në aspirata, si ne askush s’e pati barrën
28.09.2026 16:42
Presidentja e shtetit Gordana Siljanovska Davkova nga Salzburgu...

Presidentja e shtetit Gordana Siljanovska Davkova nga Salzburgu ka folur për procesin eurointegrues të vendit. Në sesionin me temë nëse Evropa (ende) është një aktor global, shefja e shtetit është përqendruar tek e ardhmja e projektit evropian, sfidat strategjike me të cilat përballet Bashkimi Evropian dhe nevojën për përshpejtimin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.
Duke iu referuar rrugëtimit evropian të vendit tonë, Siljanovska ka përkujtuar aspiratat drejt Unionit, sfidat me të cilat është ballafaquar politika e brendshme. Sipas saj, kjo nuk ka qenë e lehtë. Vendi ka numëruar 17 raporte pozitive për fillimin e negociatave, një shkallë të lartë harmonizimi me legjislacionin evropian dhe disa barra të rralla, ka shtuar Siljanovska.
“Asnjë shtet evropian gjatë rrugëtimit të tij integrues nuk ka bartur një barrë kaq të rëndë: e ndryshuam flamurin shtetëror, emrin kushtetues dhe miratuam 36 ndryshime kushtetuese, pjesa më e madhe e të cilave u diktuan nga jashtë. Zgjerimi nuk është vetëm politikë ndaj vendeve kandidate, por edhe një test për kapacitetin e BE-së për të vepruar në mënyrë strategjike.”.
Deklaratat për procesin eurointegrues shtohen teksa po afrohet koha e vizitës së turnit të Ballkanit të shefes së ekzekutivit të BE-së, Ursula von der Leyen. Sipas informacioneve të KE-së, vizita pritet të përfundojë më 2 tetor në Shkup, ku Von der Leyen do të zhvillojë takime me drejtuesit e Maqedonisë së Veriut, dhe në qendër do të jetë diskutimi për hapat e ardhshëm të integrimit të vendeve aspirante në Union nga Ballkani Perëndimor.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
