Maqedoni
Nis fushata për zgjedhjet e parakohshme lokale për kryetar të Komunës së Bërvenicës
28.09.2026 17:00
Nga sot fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme lokale...

Nga sot fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme lokale në Komunën e Bërvenicës, të caktuara për 18 tetor. Në zgjedhje marrin pjesë gjashtë kandidatë: Stojanço Radieski nga VMRO-DPMNE-ja në pushtet, e cila udhëheq koalicionin “Maqedonia Jote”; kandidati i LSDM-së opozitare është Jovica Radeski; nga një grup zgjedhësish kandidon Dushan Bogdanovski; koalicioni VLEN garon me Jakup Useinin; një grup zgjedhësish ka propozuar kandidaten Arife Idrizi, ndërsa Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) do të garojë me Arkin Jahijin.
Zgjedhjet për kryetar të Komunës së Bërvenicës, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i ka shpallur më datë 18 tetor dhe ato do të mbahen pasi më 23 qershor 2026, në moshën 58-vjeçare, ndërroi jetë kryetari i kësaj komune, Ivica Ilievski.
Në vazhdim të ndjekim deklaratat e kandidatëve për kryetar të Komunës së Bërvenicës nga radhët e VLEN-it, AKI-së, VMRO – DPMNE-së dhe LSDM-së, ndërsa dy kandidatët e pavarur, Arif Idrizi dhe Dushan Bogdanovski, në ditën e parë të fushatës nuk kanë zhvilluar aktivitete.
“I njoh mirë problemet e juaja dhe nevojat tuaja. Gjithë jetën time kam kontribuar për këtë vend, për këto lagje dhe për këto fshatra. E di se me punë dhe përkushtim, komunën tonë mund ta bëj një vend më të mirë dhe më të zhvilluar. Prandaj kam vendosur të veproj në këtë sfidë, të garoj për kryetar të Komunës së Bërvenicës me mbështetje të VLEN-it, por mbi të gjitha me besimin e banorëve të Komunës së Bërvenicës që këtë komunë t’ua kthejmë qytetarëve. Le të bashkohemi të gjithë për të mirën e komunës sonë.”, - deklaroi kandidati i VLEN-it, Jakup Huseini.
“Ju ftoj të ecim bashkë në këtë rrugëtim, për familjet tona, për fëmijët tanë, për të rinjtë tanë, për çdo fshat të Bërvenicës, për të ardhmen e vendit. Bashkë për Bërvenicën, bashkë për të ardhmen tonë, faleminderit për besimin, faleminderit për mbështetjen dhe mbi të gjitha faleminderit që jemi bashkë në këtë rrugëtim. Na priftë e mbara dhe dalshim faqebardhë.”, - theksoi kandidati i AKI-së, Arkin Jahiji.
“Ftoj të gjithë kandidatët të respektojnë kodin zgjedhor, kodin për të cilin jeni angazhuar. Besoj në demokraci, besoj në çdo njeri që lirshëm të vendosë se kujt do t’ia besoj votën e tij. Bërvenica është komunë multietnike në të cilën jetojnë maqedonas, shqiptarë, turq, romë dhe bashkësi të tjera. Kjo është fuqia që na bashkon. I ftoj të gjithë qytetarët, e kërkoj besimin nga ata që të votojnë numrin një.”, - theksoi kandidati i Koalicionit “Maqedonia Jote”, Stojanço Radiçeski.
“Kam vizion për higjienën komunale të vazhdueshme, ajër të pastër, nëpërmjet menaxhimit të burimeve të ndotjes dhe me pastrimin e deponive të egra. Infrastruktura, e cila gjithashtu është një nga segmentet e rëndësishme në jetesën tonë, do të ketë vend të posaçëm në punën time të përgjithshme dhe angazhimin tim. Vëmendje të posaçme do t’i kushtojë qasjes dhe lëvizjes së personave me pengesa.”, - u shpreh kandidati i LSDM-së, Jovica Radeski.
