Kulturë

Arbëreshët e Italisë, historia dhe trashëgimia e tyre në vëmendje në Shkup

28.09.2026 17:36

Gjuha, zakonet dhe traditat arbëreshe ruhen dhe fliten edhe sot në komunitetet arbëreshe të Italisë

Gjuha, zakonet dhe traditat arbëreshe ruhen dhe fliten edhe sot në komunitetet arbëreshe të Italisë, ku prej shekujsh ato janë përcjellë nga një brez te tjetri. Përpjekjet për ta ruajtur këtë trashëgimi vazhdojnë edhe sot, ndërsa studiuesi arbëresh Francesco Perri është një nga ata që punojnë për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën arbëreshe.
 
Pikërisht në këtë frymë, Perri, së bashku me disa miq të tij, ka realizuar projektin “Fjasmi arbëresh, si fjasmi, ashtu jemi”, përmes të cilit synon që gjuha të mësohet dhe të përdoret përmes të folurit. Historia, gjuha, zakonet dhe traditat e arbëreshëve të Italisë ishin në qendër të një ligjërate të mbajtur në Shkup nga studiuesi arbëresh Francesco Perri.
 
Me temën “Arbëreshët e Italisë: kush janë, ku ndodhen, origjina e tyre, numri i tyre, zakone, doke dhe tradita”. Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Perri solli para publikut historinë dhe trashëgiminë e komuniteteve arbëreshe që jetojnë në Itali prej shekujsh ,në kuadër të kumtesës “Arbëria e përjetuar dhe e rrëfyer: histori, zakone, doke dhe tradita”.
 
“Unë së bashku me disa miq të mi, kemi bërë një projekt me titull “Fjasmi arbërisht: si fjasmi, ashtu jemi”. Pse e bëmë këtë projekt? Sepse qëllimi ynë ishte sepse arbërishtja flitej te familjet 90%. Sepse gjuhën, ne e mësojmë gjuhën arbëreshe duke folur. Ata më të mëdhenjtë na e mësuan neve dhe, për 500 vjet, më shumë se 500 vjet, ne e kemi ruajtur këtë gjuhë pikërisht sepse e kemi folur. Në familjet arbëreshe, e ëma dhe i ati u flasin arbërisht fëmijëve, bijve dhe bijave të tyre. Edhe çka bëmë ne, morëm disa fëmijë, fëmijë që shkojnë në shkollë rreth 12 vjeç, dhe i mësuam këta fëmijë të flasin arbërisht. Ajo që është më e rëndësishme është se, pasi e mësuan, ata shkuan në shtëpi dhe ua mësuan nënave dhe etërve të tyre fjalët që kishin mësuar atje. Ndryshoi krejtësisht, apo u kthye përmbys, siç ishte më herët: e ëma dhe i ati ua mësonin fëmijëve gjuhën, tani fëmijët ua mësojnë prindërve.”, - deklaroi studiuesi arbëresh dhe njohësi i Trashëgimisë Arbëreshe, Francesco Perri.
 
Francesco Perri është lindur në Vakariço Albanese të Kalabrisë dhe prej vitesh merret me studimin, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë arbëreshe. Ai ka shërbyer edhe si kryetar i Bashkisë së Vaccarizzo Albanese, ndërsa ka qenë i angazhuar në organizata dhe institucione që merren me kulturën dhe komunitetin arbëresh. Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së tij lidhet me gjuhën arbëreshe.
 
Në këtë fushë ai ka botuar edhe veprën “Fjasmi arbërisht: si fjasmi, ashtu jemi”, kushtuar gjuhës së arbëreshëve. Perri ka studiuar gjithashtu lëvizjet migratore të komuniteteve arbëreshe gjatë periudhës 1807–2026, duke trajtuar historinë dhe shtrirjen e tyre në Itali. Ligjërata vuri në pah rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe traditave arbëreshe, si një trashëgimi që ka mbijetuar për shekuj jashtë trojeve shqiptare.
 
FARIJE DAUTI BAKIU