Maqedoni

Hoxha në takimin ministror në Romë: Për ujërat na duhen zgjidhje të përbashkëta

29.09.2026 11:12

Hoxha mori pjesë në takimin e dytë ministror për Ujin e Bashkimit për Mesdheun në Romë

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, mori pjesë në takimin e dytë ministror për Ujin e Bashkimit për Mesdheun në Romë, ku theksoi nevojën për bashkëpunim të fuqishëm rajonal në kushtet e sfidave serioze klimatike.
 
Në tubimin, i cili bashkon vendet e rajonit euro-mesdhetar, ai theksoi se thatësira, vërshimet dhe ndotja kërkojnë veprim të përbashkët dhe qasje të koordinuar në basenet e lumenjve ndërkufitarë, pasi uji i përbashkët nënkupton edhe përgjegjësi të përbashkët. Në fjalën e tij, ministri Hoxha tha se përmes procesit të eurointegrimeve, politikat nacionale në mënyrë të përkushtuar po harmonizohen me standardet evropiane, me theks të veçantë në përmirësimin e trajtimit të ujërave të zeza dhe ndërtimin e rezistencës klimatike. Në këtë kuadër, ministri Hoxha theksoi se realizimi i këtyre qëllimeve kërkon investime të konsiderueshme, financim të qëndrueshëm dhe mobilizim të fuqishëm të burimeve vendase dhe ndërkombëtare. Në fund, Hoxha shprehu mbështetje të plotë për Deklaratën  e përbashkët ministrore për Ujin dhe Nismën e Romës, duke përcjellë se ekziston gatishmëri e plotë për partneritet aktiv me të gjitha vendet e rajonit, me qëllim që detyrimet strategjike të shndërrohen në projekte konkrete për një të ardhme të qëndrueshme.