Ekonomi

46 milionë euro për modernizimin e gjashtë hidrocentraleve

29.09.2026 13:55

Revitalizimi i hidrocentraleve faza e 3-të është projekti kapital i ShA EEM-së...

Revitalizimi i hidrocentraleve faza e 3-të është projekti kapital i ShA EEM-së, me të cilin zyrtarisht nis faza e re e modernizimit të kapaciteteve hidroenergjetike në vend. Projekti u promovua sot, ndërsa investimi prej 46 milionë eurosh synon modernizimin e gjashtë hidrocentraleve, rritjen e prodhimit të energjisë dhe përdorimin më efikas e të qëndrueshëm të potencialit hidroenergjetik të vendit. Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se projekti do të modernizojë një pjesë të rëndësishme të kapaciteteve prodhuese të ShA EEM-së.
 
“Pikërisht ky investim kapital, me vlerë prej 46 milionë eurosh, është një sfidë e fuqishme për epokën e re të kompanisë. Përfitimet e këtij modernizimi janë të drejtpërdrejta dhe të matshme. Zgjatim jetëgjatësinë e funksionimit dhe rrisim kapacitetin e instaluar të gjashtë hidrocentraleve të mëdha me 13.5 megavat shtesë, duke siguruar kështu një prodhim të ri vjetor prej 50 gigavat-orësh energji elektrike. Ky prodhim i rritur i energjisë do të na sjellë të paktën 5 milionë euro të ardhura shtesë në vit.”, - deklaroi drejtori i Përgjithshëm, Lazo Uzunçev.
 
“Ky projekt është shumë i rëndësishëm. Mund të kujtoj se për këtë fazë të rehabilitimit të hidrocentraleve kemi folur që në kohën kur unë isha drejtor i ShA ELEM-it. Për fat të keq, për një periudhë të caktuar nuk pati përparim. Është mirë që sot drejtuesit e ShA EЕM-së, së bashku me institucionet financiare që siguruan financimin e këtij projekti, pjesërisht përmes grantit dhe pjesërisht do të thoja përmes një kredie të favorshme, do të mundësojnë zgjerimin e portofolit të prodhimit të ShA EEM-së në pjesën e burimeve të rinovueshme të energjisë, në pjesën e potencialit hidroenergjetik. Me këtë do të sigurohet energji elektrike cilësore. Kur them cilësore, këtu nënkuptoj energji që mund të përdoret për shërbime dytësore dhe terciare brenda sistemit.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
“Investimi në hidrocentralet paraqet përparim dhe përdorim të qëndrueshëm të ujit, si dhe është prioritet kombëtar, së bashku me adresimin e shqetësimeve për mjedisin jetësor. Me rehabilitimin e kapaciteteve ekzistuese duhet të sigurohet përdorim më efikas i ujit, duke mbrojtur njëkohësisht natyrën dhe ekosistemet. Përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, BE-ja ka kontribuar me një grant prej 11.2 milionë eurosh.”, - u shpreh ambasadori i BE-së në Shkup, Mihalis Rokas.
 
Por, kjo nuk është  gjithçka. Mickoski shpreson se gjatë vitit të ardhshëm më në fund do të vendoset edhe gurthemeli i shumëpritur i hidrocentraleve Çebren dhe Galishte, projekt ky i rëndësishëm për të ardhmen, jo vetëm për  vendin, por edhe për  gjithë rajonin, tha Mickoski.
 
“Është koha e duhur që shteti të bëjë një hap më të guximshëm dhe të jetë investitor. Konsideroj se kemi institucione financiare që duan ta financojnë këtë projekt. Një prej tyre është DFS-ja amerikane, e cila në këtë moment ka një portofol financiar prej mbi 220 miliardë dollarësh. Ne biseduam me përfaqësuesit për projektet zhvillimore të DFS-së. Ata tashmë janë të pranishëm përmes një granti zhvillimor dhe pres që të sigurojmë financimin e këtij projekti.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Me realizimin e këtij projekti, tha Mickoski, vendi do të ketë një efekt shumëdimensional. Para së gjithash, projekti do të jetë i rëndësishëm për sistemin energjetik, pasi, sipas tij, do të paraqesë një rezervuar të rëndësishëm të energjisë. Gjithashtu, do të sigurojë sasi shtesë të ujit, të cilat mund të përdoren edhe për ujitjen e Fushës së Tikveshit dhe kulturave bujqësore të fermerëve të kësaj zone. Mickoski shtoi se kjo çështje ka qenë temë diskutimi edhe gjatë disa prej takimeve të tij në ShBA.
 
REXHEP QAMILI