Maqedoni
Femicidi mund të parandalohet vetëm përmes veprimit të koordinuar institucional
29.09.2026 15:07
Konferenca Rajonale mbi Femicidet në Evropën Juglindore që u zhvillua për dy ditë me radhë në Kuvendin e RMV-së...

Konferenca Rajonale mbi Femicidet në Evropën Juglindore që u zhvillua për dy ditë me radhë në Kuvendin e RMV-së, kishte edhe pjesën përmbledhëse të diskutimeve të shumta. Si pjesë përfundimtare e kësaj Konference me fjalime u paraqitën oficerja nacionale e Sundimit të Ligjit dhe të Drejtat e Njeriut, Diana Zhupanoska - Misioni i OSBE-së në Shkup, dhe drejtorja ekzekutive e Komitetit të Helsinkit në Maqedoninë e Veriut, Uranija Pirovska, e cila foli mbi standardet operacionale për identifikimin dhe hetimin e vrasjeve me bazë gjinore. Por, pjesa përmbyllëse padyshim i takoi zëvendësshefes së Misionit të OSBE-së në Shkup, Susan Penksa, e cila u shpreh e kënaqur nga organizimi dhe përfundimi me sukses i kësaj konference dhe theksoi se ekspertizat e ndryshme, të cilat u prezantuan, ishin arma më e fuqishme e kësaj konference.
“Një mesazh që doli nga kjo konferencë është i qartë se parandalimi i Femicidit kërkon respekt dhe përkushtim, por edhe aktivitete të koordinuara tek të gjitha institucionet dhe sektorët. Prandaj, me këtë rast dua t’i numëroj katër konkluzionet që mendoj se mund t’i nxjerrim nga kjo konferencë e ato janë: “Çdo femicid mund të parandalohet, por vetëm nëse jemi të përgatitur të shohim se çfarë ka lëshuar sistemi, t’i identifikojmë modelet e dhunës, viktimat t’i bëjmë të dukshme, çdo rast ta shikojmë nga perspektiva gjinore, dhe ta shtrojmë pyetjen se a thua vallë institucionet kanë vepruar me respekt dhe përkushtim, kështu që çdo rast të jetë si leksion i mësuar dhe do ta parandalojmë femicidin e radhës.”, - theksoi zëvendësshefja e Misionit të OSBE-së në Shkup, Susan Penksa.
Sipas saj, të parët të cilët janë në terren si prokurorët, gjyqtarët, duhet të jenë të aftë të identifikojnë motivin gjinor që në fillim. Penksa po ashtu theksoi se pjesë e rëndësishme është edhe legjislacioni, por edhe zbatimi efektiv, sepse sipas saj, ligji i mbron gratë, por vetëm kur të zbatohet në praktik. Sipas të pranishmëve, mesazhi i kësaj konference është se femicidi nuk duhet të trajtohet si një incident i izoluar ose një "tragjedi familjare", por si forma më ekstreme e dhunës me bazë gjinore.
Vlerësimet e institucioneve më relevante botërore tregojnë se rreth 50.000 gra dhe vajza u vranë nga partnerët intimë ose anëtarë të tjerë të familjes në vitin 2024, ose mesatarisht, çdo dhjetë minuta, diku në botë, një grua ose vajzë vritet nga një partner intim ose një anëtar tjetër i familjes, ose 137 gra dhe vajza në ditë.
FITIM KRYEZIU
