Botë

Kusari Lila: Të arrihet kompromis për presidentin

29.09.2026 15:38

Shumica parlamentare e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje fton për kompromis dhe konsensus ndërmjet partive për zgjidhjen e situatës politike në Kosovë...

Shumica parlamentare e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje fton për kompromis dhe konsensus ndërmjet partive për zgjidhjen e situatës politike në Kosovë. Mimoza Kusari Lila që është pjesë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje thotë se hapat e ardhshëm duhet të jenë të menduar mirë, veçanërisht për shkak të afateve që lidhen me zgjedhjen e presidentit dhe proceset në Hagë.
 
“Mos të harrojmë, afati për të apeluar aktgjykimin e tmerrshëm të Dhomave të Specializuara në Hagë është 30 ditë pas prezantimit apo publikimit. Në fakt ende s’është publikuar në tërësi, por është bërë njoftimi për vendimin. Dhe 30-ditëshi përkundrejt 6 tetorit që është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, 30-ditëshi për dorëzimin e apelit është 16 tetori, pas të cilit janë edhe 60 ditë të tjera për t’u targetuar në tërësi lënda e prezantuar që vjen pas 10 vjetëve. Do të thotë ne duhet të kemi parasysh që në nguti dhe në këtë, si të thuash, ndërlidhje të këtyre afateve që po duken natyrshëm të ndërlidhura, por që është shumë e rëndësishme një gjë ta kemi të përbashkët. Dhe emëruesi i përbashkët duhet të jetë që të evitohen zgjedhjet.", - deklaroi Mimoza Kusari Lila nga Alternativa. 
 
Tahiri: Ndryshimet në ligjin për specialen, prioritet
 
Ndërkohë shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka thënë se për këtë parti tema kryesore për momentin është plotësim-ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa çështja e presidentit, sipas tij, kërkon konsensus.
 
“Çështja e presidentit është çështje e konsensusit politik. PDK-ja ka qenë e angazhuar që t’i shmang zgjedhjet, nuk duhet të bëhen situata e inskenime për të prodhuar zgjedhje pas zgjedhjeve, jemi duke e dëmtuar shtetin, jemi duke i lodhur qytetarët e Kosovës. Duhet të ndalen dramat dhe t’i qasemi me përgjegjësi këtij procesi, por për Partinë Demokratike të Kosovës, kryefjalë është ligji për Specialen.”, - theksoi Arian Tahiri nga PDK. 
 
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka apeluar për zgjedhjen e presidentit, që të shmangen zgjedhjet. Por, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se është i gatshëm për bisedime për çështjen e presidentit, nëse votohet ligji për ndryshimin e Dhomave të Specializuara.
 
GYLTENE SINANI